Ylli: Viti 2024 me arritje të mëdha në sport, Shqipëria u nderua në arenën botërore
Shqipëria e sportit në vitin 2024 ia doli të sigurojë disa arritje historike. Për herë të parë vendi ynë siguroi medalje në një Olimpiadë. Në Paris, dy mundësit Islam Dudaev dhe Chermen Valiev i dhanë Shqipërisë dy medaljet historike.
Në mbrëmjen ceremoniale të organizuar për sportistët tanë në arenën ndërkombëtare për vitin 2024, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, tha se Shqipëria shënjoi një gur kilometrik të rëndësishëm në fushën e sportit.
“Viti 2024 do të shënohet me gërma të mëdha në historinë e sportit shqiptar”, tha Ylli.
Ylli theksoi se “medaljet e para Olimpike u paraprinë dhe pasuan nga shumë trofe, kupa, tituj, kampion dhe më shumë se 100 medalje të fituara në të gjitha disiplinat sportive për vitin 2024”. Ylli po ashtu shtoi se është “shumë krenar dhe për kombëtaren e futbollit”.
“Ndeshjet e kombëtares në Kampionatit Europian mbetën në kujtesën e të gjithë e gjithë shqiptarëve për lojën e bukur që futbollistët tanë zhvilluan me skuadrat më të mira të botës”, tha Ylli.
“Sportistët tanë kanë dhënë më të mirën e tyre dhe padyshim që Shqipëria është nderuar në të gjitha arenat botërore”, shtoi Ylli.
Kreu i KOKSH shtoi më tej se “Lojërat Olimpike të Parisit ne nuk na bëjnë euforik, por ne pas përfundimit të kësaj galaje do të ulemi me të gjitha federatat Olimpike dhe me MAS për të hartuar një strategji afatmesme dhe afatgjatë për Lojërat Olimpike të Los Anxhelos 2028”.
“Një brez sportistësh të talentuar po rritet me kampionë bote dhe Evrope për moshat e reja, në disiplina, atletikë, mundje, peshëngritje, boks, xhudo, taekwondo, not, gjimnastikë, tenis, me të cilët do të krijojmë ekipin olimpik që jo vetëm do të jetë delegacioni më i madh por do të pretendojmë që t’i sjellim Shqipërisë medaljen e artë”, tha Ylli.
