Pezullohet arrestimi i presidentit Yoon

Prokuroria koreano-jugore pezulloi sot ekzekutimin e një urdhërarresti për presidentin e rrëzuar Yoon Suk-yeol në rezidencën e tij në Seul, pasi truprojat e tij i penguan ta bënin këtë.

”Për sa i përket ekzekutimit të urdhrit të arrestit sot, është konstatuar se është fizikisht i pamundur për shkak të ngërçit në vazhdim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Hetimit të Korrupsionit (CIO).

Shqetësimet për sigurinë e stafit në terren çuan në vendimin për të ndaluar ekzekutimin.

Më parë, Shërbimi i Sigurisë Presidenciale të Koresë së Jugut kishte arritur edhe një herë të parandalonte arrestimin e Yoon.

Agjentët e dërguar për ta kapur atë kishin hasur në rezistencë dhe përleshjet kishin ndodhur para rezidencës presidenciale.

Hetuesit nga Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) kishin dorëzuar urdhër për arrestimin e Yoon dhe kontrollin e banesës, por shefi i Shërbimit të Sigurisë Park Chong-jun ua ndaloi hyrjen, duke përmendur rregullat e privatësisë.