Kryeministri Fico kërcënon refugjatët ukrainas për ndalimin e gazit rus
I zemëruar nga ndalimi i tranzitit të Ukrainës për gazin rus, kryeministri sllovak Robert Fico po kërcënon të marrë masa kundër refugjatëve ukrainas.
Duke folur në Bratislavë, Fico tha dje se do të diskutonte me koalicionin e tij mundësinë e reduktimit të mbështetjes për ukrainasit në Sllovaki. Ai nuk specifikoi detaje.
Fico përsëriti gjithashtu kërcënimin se Sllovakia mund të ndalojë dërgesat e energjisë elektrike në Ukrainën fqinje.
Ukraina e shkatërruar nga lufta, e sulmuar nga Moska në shkurt 2022, lejoi që kontrata e saj me gjigantin energjetik rus ”Gazprom” për tranzitin e gazit rus drejt perëndimit të skadonte në fund të vitit 2024.
Sllovakia është në mesin e të prekurve, megjithëse shumica e vendeve të tjera të BE-së janë të përgatitura për lëvizjen e paralajmëruar prej kohësh.
”Sllovakia pëson një humbje prej 500 milionë eurosh (513 milionë dollarë) në tarifat e tranzitit çdo vit për shkak të ndalimit”, tha Fico në një video në Facebook.
Vendi i tij kërkon dëmshpërblim. Fico llogariti se shtetet e BE-së do të duhet të paguajnë 60 miliardë deri në 70 miliardë euro më shumë çdo vit pa gazin rus, në formën e çmimeve më të larta të gazit dhe energjisë elektrike.
Udhëheqësi sllovak akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për sabotim.
“Rusia është praktikisht e paprekur nga kjo. Vetëm Shtetet e Bashkuara do të përfitojnë nga vendimi i presidentit Zelensky për shkak të rritjes së eksporteve të gazit në Evropë”, pohoi Fico.
Sllovakia fillimisht do të diskutojë zgjidhjet në Bruksel dhe më pas brenda koalicionit dhe qeverisë.
Kreu i qeverisë së majtë populiste ka kritikuar vazhdimisht politikat properëndimore të Ukrainës. Para Krishtlindjeve, ai shkaktoi zemërim në Ukrainë me një vizitë te shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, në Moskë.


