Nën hetim me Allajbeun/ Rama shpall “strategjik” një biznesmen kosovar, pronar televizioni
Qeveria i ka dhënë statusin e veçantë të investitorit strategjik kompanisë “DUKAGJINI GROUP”, sh.p.k. pronari i së cilës është biznesmeni kosovar Ekrem Lluka, i cili rezulton të jetë edhe pronat i televizionit “RTV Dukagjini”.
Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshilit të Ministrave, teksa kompanisë “DUKAGJINI GROUP” i është miratuar statusi i investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike që më 7 Maj për projektin “Dukagjini Resort”.
Projekti parashikon ndërtimin e një resorti turistik, ku do të ketë një hotel me 5 Yje me 140 dhoma si dhe njësi akomoduese, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, kazino dhe park ujor në Bashkinë Lezhë. Projekti do të realizohet në një sipërfaqe totale prej 59,014 m2, në Shëngjin.
Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 70 milion e 200 mijë euro, teksa statusi i “investitorit strategjik” i është dhënë projektit “Dukagjini Resort” për një periudhë 3 (tre) vjeçare.
Me këtë status i ofrohet asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike si dhe lehtësira fiskale./ Boldnews
