Dita e fundit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, Kurti: Regjistrohuni dhe bëhuni pjesë vendimeve të përbashkëta!

Sot është dita e fundit për regjistrimin e votuesve që jetojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Përmes një video-mesazhi në rrjetin social "Facebook" Kurti u bën thirrje atyre që nuk janë regjistruar te regjistrohen.

Kryeministri i ka bërë thirrje diasporës që të regjistrohen dhe të përfitojnë nga lehtësirat për të qenë pjesë e zgjedhjeve dhe vendimeve të përbashkëta.

“Mërgatë e dashur, ju falënderoj të gjithëve që jeni regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, në ambasadat e konsullatat tona dhe përmes postës. Afati i fundit është sonte, ora 23:59 minuta. Andaj ju që ende nuk jeni regjistruar, regjistrohuni dhe përfitoni nga lehtësirat që i kemi bërë për ju për të qenë pjesë e zgjedhjeve tona dhe vendimeve të përbashkëta”.

Kryeministri i vendit ka theksuar se procedura nuk merr shumë dhe se zgjat vetëm 4 minuta. Sipas Kurtit, janë 4 minuta të vlefshme për 4 vjet vendimarrje për Kosovë.

“Më lehtë e më thjeshtë kurrë s’ka qenë. E di që jeni të angazhuar me punë dhe obligime. Por ju premtoj që procedura nuk ju merr më shumë se katër minuta kohë. Katër minuta të kohës suaj të vlefshme, për katër vjet vendimtare për Kosovën, për progresin dhe sigurinë e shtetit tonë”, tha Kurti.