Miratohet buxheti i Bashkisë së Durrësit për 2025-ën, në fokus infrastruktura dhe mbështetja sociale
Këshilli Bashkiak në Durrës miratoi buxhetin për vitin 2025, përmes së cilit sigurohen investime të rëndësishme për qytetin bregdetar.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako foli konkretisht për sezonin veror turistik, i cili sipas saj ishte i suksesshëm.
“Në mbledhjen e këshillit bashkiak u miratua buxheti për vitin 2025 si dhe programi buxhetor afatmesëm 2025-2027, ku parashikohen të tjera punë dhe investime të rëndësishme në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit”, u shpreh Sako.
Në këtë mbledhje u miratuan edhe vendime të tjera si familjet përfituese të ndihmës ekonomike për muajin dhjetor 2024, sistemi i taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2025, kalendari i përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm (PBA) për vitet 2026-2028 dhe buxhetit vjetor, lista e nxënësve të arsimit parauniversitar, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2024-2025.
Po ashtu, u miratua edhe vendimi për shpronësimet e pasurive pronë private, që preken nga projekti për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit.
Njëkohësisht u miratua vendimi për përdorimin e transfertave të pakushtëzuara dhe sektoriale shtesë të alokuara në zbatim të aktit normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti.
