Basha: Propagandë me TikTok-un, të votojmë vetting-un e politikanëve
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka ripërsëritur thirrjen e tij për miratimin e vetting-ut të politikanëve, si një hap i domosdoshëm për pastrimin e politikës nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin.
Basha thekson se prej një viti ka depozituar në Kuvend projektligjin për të sjellë në jetë pastrimin e politikës nga të lidhurit me krimin.
“Lumi i baltës që është hedhur ndër vite ndaj meje, e po ashtu mbi gjithë ata që qëndrojnë për një politikë me fytyrë njerëzore, larg zhurmës, linçimeve dhe akuzave të rreme, as më dekurajon dhe as më ndalon në përpjekjen time për të ofruar një model të ndryshëm nga ai që, fatkeqësisht, ka dominuar për 34 vite.
Dhe për t’i dhënë fund teatrit të akuzave për konsum politik, që ka helmuar debatin publik duke vrarë besimin e qytetarëve, ftesa ime është të votojmë dhe zbatojmë veting-un e politikanëve. Prej një viti kam depozituar në Kuvend projektligjin për ta sjellë në jetë pastrimin e politikës, për ta ndarë njëherë e mirë shapin nga sheqeri, duke ju treguar me fakte shqiptarëve kush është i korruptuar dhe kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, kush ka abuzuar me besimin e shqiptarëve dhe kush jo”, shkruan Basha.
Në një postim në Facebook, Basha theksoi se përpjekjet për një politikë me fytyrë njerëzore nuk do të ndalen, pavarësisht sulmeve dhe akuzave të rreme ndaj tij. Basha akuzon kundërshtarët politikë se po bllokojnë këtë iniciativë në Kuvend për interesa të ngushta personale.
“Frika e atyre që bëjnë propagandë me TikTok-un, por janë kokë e këmbë në EncroChat, e mban të mbyllur në sirtaret e Kuvendit vetting-un e politikanëve. Prandaj ftoj qytetarët që në 11 maj t’i japin mbështetjen e tyre me votë projektit tonë, që politika të mos mbetet një lojë e pistë në duart e të korruptuarve që i shërbejnë krimit, por një veprimtari që i shërben familjeve shqiptare dhe punon për mirëqenien e tyre. Shqipëria meriton më shumë!”, shkruan Basha.
