Irani lejon sërish aksesin në aplikacionin e mesazheve “WhatsApp”

Këshilli i Lartë i Iranit – përgjegjës për mbrojtjen e internetit votoi sot për heqjen e urdhërndalimit të aplikacionit të mesazheve WhatsApp, i cili ka qenë subjekt i kufizimeve për më shumë se dy vjet, njoftoi media shtetërore.

“Ndalimi i WhatsApp dhe Google Play u hoq me votim unanim të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Hapësirës Kibernetike”, tha agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Këshilli drejtohet nga presidenti dhe anëtarët e tij përfshijnë kryetarin e parlamentit, kreun e gjyqësorit dhe disa ministra.

“Sot, ne hodhëm hapin e parë drejt heqjes së kufizimeve të internetit me unanimitet dhe konsensus”, tha Ministri i Komunikimeve, Sattar Hashemi në X.

Nuk është ende e qartë se kur do të hyjë në fuqi vendimi. Masa ka ndezur një debat në Iran, ndërsa kritikët e kufizimeve kanë argumentuar se kontrollet ishin të kushtueshme për vendin.

Presidenti Masoud Pezeshkian beson në heqjen e kufizimeve dhe nuk i konsideron ndalimet e aplikacioneve në interes të popullit dhe vendit.

Të gjithë ekspertët besojnë gjithashtu se kjo çështje nuk është e dobishme për sigurinë e vendit”, tha sot zëvendëspresidenti, Mohammad Javad Zarif.

Të tjerë zyrtarë, megjithatë, paralajmëruan për rrezikun e heqjes së kufizimeve.

E përditshmja reformiste Shargh raportoi sot se 136 ligjvënës në parlamentin prej 290 anëtarësh i dërguan një letër Këshillit duke thënë se masa do të ishte një “dhuratë për armiqtë e Iranit”.

Ligjvënësit kërkuan lejimin e aksesit në platformat e kufizuara në internet vetëm “nëse ato do të përkushtoheshin ndaj vlerave të shoqërisë islame dhe do të ishin në përputhje me ligjet” e Iranit.