Ngricat, problem pas dëborës/ Rrugët kombëtare të hapura, probleme me energjinë

Ngricat dhe akulli për shkak të rënies së temperaturave pasuan reshjet e dëborës  në zonat malore të vendit nga juglindja në veri.

Rruga e Dardës, dhe fshatrave të tjerë turistike të juglindjes janë të hapura, por në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes ka prezencë akulli çka vështirëson lëvizjen.

Trashësia e dëborës arrin deri në 10 centimetra. Akull  është shqetësim edhe pjesë të aksit Korçë- Ersekë-Leskovik dhe Zëmblak-Dogana e Gorricës.

Për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik, disa fshatra në juglindje kanë probleme me furnizimin me energji elektrike.

Reshjet e dëborës filluan edhe në Rajonin Qendër-Perëndim, në akset Krujë-Sarisalltik dhe trau Dajt-Teleferik në Tiranë.

Dëbora zbardhi edhe Llogaranë në Vlorë, ku qarkullimi vazhdon pa probleme.

në Shkodër, rruga Kir Shosh ka bllokime, ndërsa Bogë-Theth kalohet me zinxhirë. Fshatrat në Alpe po ashtu kanë probleme me energjinë.

Në qarkun e Kukësit, rrugët kombëtare janë të të hapura, ndërsa në akset Bajram Curri – Morinë, Bajram Curri – Valbonë, Bajram Curri-Fierzë-Lekbibaj, probleme është dëbora e ngrirë.

Në zonat më të thella të qarkut të Dibrës, trashësia e dëborës arrin deri në 20 centimetra. Rruga e Arbrit që u bllokua mbrëmjen e hënës, u rihap për qarkullimin!

Ndërkohë autoriteti portual Durrës, lajmëroi normalizim e udhëtimit të trageteve dhe rinisjen e punës në sektorët e prekur nga moti i keq!