U izolua në regjimin "41 biss", Altin Kodra kundërshton vendimin në GJKKO

Altin Kodra i cili u fut në regjimin special '41 biss' disa ditë më parë, ka kundërshtuar vendimin në Gjykatën e Posaçme. Kodra është dënuar me 22 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Bëhet me dije se gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin, ai është dënuar edhe për vepra të tjera penale.

Më datë 11.10.2012, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, e ka dënuar për kryerjen e veprës penale “Largim nga vendi i qëndrimit”. Po ashtu, është dënuar në dy raste të tjera, me vendim të formës së prerë më datë 04.05.2022, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”.

Regjimi i posaçëm “41-bis” është një masë për të burgosurit që janë të përfshirë në veprime të rënda penale, si pjesëmarrës në grupe të strukturuara kriminale, organizata kriminale, banda të armatosura ose organizata terroriste. Ky regjim është një masë për sigurinë e lartë dhe për individët me statusin e të paraburgosurit.