BOKS/ Oleksandr Usyk përballë Tyson Fury, detajet e superduelit të peshave të rënda. Ja sa do të fitojë triumfuesi
Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk janë gati të përballen sërish. Më 18 maj, boksieri ukrainas arriti t’i jepte anglezit Fury humbjen e tij të parë ndonjëherë, duke i marrë kështu kurorën e peshave të rënda. Oleksandr Usyk është kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda, i cili zotëron titujt, WBA, WBC, IBF dhe WBO.
Tani është koha për revansh, ku të dy boksierët do të rikthehen në ring mbrëmjen e sotme, më 21 dhjetor, në një duel që do të zhvillohet në Rijad të Arabisë Saudite.
Ndeshja do të transmetohet ekskluzivisht në DAZN. Në lojë është kurora e unifikuar e peshave të rënda dhe për të dy boksierët pritet një shpërblim marramendës me miliona dollarë.
Fury dhe Usyk sërish përballë njëri-tjetrit. Pas përballjes së majit, e quajtur ‘Ring of Fire’ si kënga e famshme e Johnny Cash, tani rikthehen në ring për ‘Revanshin e Krishtlindjeve’, një titull i huazuar nga një film i Pupi Avatit. Dy boksierë të nivelit të lartë, me një bilanc të shkëlqyer, përballen përsëri. Tyson Fury, anglez 36-vjeçar, ka një rekord prej 34 fitoreve, 1 barazimi dhe 1 humbjeje. Nga ana tjetër, ukrainasi Oleksandr Usyk, 37 vjeç, asnjëherë nuk është mundur me KO si profesionist dhe është mbajtës i të katër kurorave të peshave të rënda.
Sa do të fitojë Tyson Fury nga përballja me Usyk?
Në ndeshjen e majit, Fury kishte përfituar më shumë se Usyk. Shuma totale e asaj përballjeje ishte 85 milionë paund për t’u ndarë mes tyre, afërsisht 100 milionë euro. Nga kjo shumë, 70% përfundoi në llogaritë e ‘Gypsy King’, ndërsa pjesa tjetër iu dha ‘Maçokut’ Usyk, i cili përfitoi edhe më shumë falë fitores dhe unifikimit të titujve.
Shuma që do të përfitojë Usyk?
Ende nuk është bërë publike shuma e saktë e revanshit. Por raportohet se në lojë mund të jenë mbi 110 milionë paund, që përllogariten mbi 130 milionë euro. Këtë herë, ndarja e fitimeve pritet të jetë ndryshe. Si kampion në fuqi dhe figura kryesore e eventit, Usyk ka avantazhin. Ka gjasa që kjo shumë të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy boksierëve. Dueli i peshave të rënda mes ukrainasit Oleksandr Usyk dhe anglezit Tyson Fury do të zhvillohet të shtunën, më 21 dhjetor, në Rijad dhe do të nisë në orën 21:00 me orën e Italisë.

