Shënoi gol spektakolar nga goditja e këndit, flet Asllani: Nuk më kishte ndodhur kurrë...

Interi i Simone Inzaghit siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë pas fitores 2-0 kundër Udinese, duke u përgatitur tashmë për përballjen me Lazion në vitin 2025.

Skuadra zikaltër hasi disa vështirësi në fillim të ndeshjes, por e zhbllokoi rezultatin në minutën e 30-të falë Arnautovic, i cili shfrytëzoi një gabim të rëndë të mbrojtjes kundërshtare.

Epërsia e dyfishtë erdhi në sekondat e fundit të pjesës së parë, ku Kristjan Asllani realizoi një gol spektakolar, direkt nga goditja e këndit. Në pjesën e dytë, Interi administroi rezultatin pa shumë vështirësi, duke mos e lejuar portierin Martinez të kishte ndonjë ndërhyrje të rëndësishme.

Taremi goditi shtyllën, por rezultati mbeti i pandryshuar, duke siguruar një fitore të merituar për zikaltërit. Një paraqitje solide e Interit, që vazhdon të tregojë formë të mirë në kompeticione të ndryshme dhe po shfaqet si një pretendent serioz për trofe. I aktivizuar si titullar në vend të Calhanoglu, mesfushori shqiptar u paraqit shkëlqyeshëm dhe realizoi një gol spektakolar. Pas ndeshjes, Asllani u shpreh kështu për “Mediaset”:

"Unë nuk kisha shënuar kurrë një gol direkt nga goditja e këndit. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim. Jemi të lumtur sepse po vazhdojmë me rezultate pozitive dhe po përmirësohemi gjithnjë e më shumë.

Ai që ka më shumë rëndësi është grupi, i cili është fantastik. Kemi një kimi të shkëlqyer mes nesh në dhomat e zhveshjes, dalim shpesh bashkë dhe kjo krijon atmosferë pozitive, e cila pastaj na çon te rezultatet e kërkuara. Duhet ta falënderoj edhe Arnautovic për mbështetjen, është një nga ata që gjithmonë i ndihmon lojtarët e rinj. Ai është thelbësor për grupin".