4 ndeshje pa fitore, por Veselinoviç nuk e bën dramë: E respektojmë Vllazninë, por ...
Sot e ngre siparin java e 19-të e Kategorisë Superiore, e cila koincidon me fazën e tretë të kampionatit. Partizani-Vllaznia është një nga kryesfidat e këtij “stacioni” të garës, e cila do të luhet në kryeqytet prej orës 19:00. Në prag të këtij ballafaqimi, trajneri serb i “demave të kuq”, Aleksandar Veselinovic foli para gazetarëve.
Dy ekipet vijnë me disa mungesa në këtë përballje…
Nuk di çfarë të them për këtë situatë, sepse nuk e di se çfarë do të tregoj fusha. Jam i sigurtë se çdo trajner ka probleme të tilla në vazhdimësi dhe të gjithë përpiqen të gjejnë zgjidhjet më të mira për ndeshjen e radhës. Kolegu Brdariç është trajner dhe njeri shumë serioz. Ju e dini, e kam shprehur mjaft herë se mundohem t’i respektoj të gjithë kolegët, trajnerët. Nuk është korrekte të komentoj situatat që ka brenda vetes klubi i Vllaznisë. Kryesore është të mendojmë për veten tonë. Kjo është ndeshja e fundit e kësaj pjese të kampionatit. Ka qenë një periudhë e gjatë duke filluar me fazën përgatitore, ndeshjet në Kupat e Europës dhe lojtarët kanë gati 6 muaj në këtë proces. Në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit djemtë ishin shumë të motovuar, mjaft agresivë, mendoj se edhe sot do të jetë e njëjta situatë. E respektojmë Vllazninë, por si gjithmonë së pari duhet të respektojmë veten tonë.
Nën drejtimin e Brdariç, Vllaznia nuk ka humbur asnjë ndeshje me Partizanin…
Statistikat janë statistika, por e thashë se Brdariç është njeri serioz dhe trajner shumë i mirë. Besoj se gjithçka që ka ndodhur te Vllaznia, përsa i përket ecurisë, performancës dhe rezultateve është edhe meritë e tij, që e ka sjell deri këtu. Statistikat janë histori, sot do të shohim si do të jetë në fushë.
Keni katër ndeshje pa fitore…
Përveç një ndeshjeje, të tjerat nuk i kemi humbur. Kemi luajtur ndeshje pas ndeshje. Përgjatë këtyre katër muajve, në 16 ndeshje të luajtura, kemi humbur vetëm një. Klasifikimi tregon se 4 skuadrat e para kanë krijuar diferencë nga të tjerat. Gjatë gjithë kohës këto 4 skuadra lëvizin me një ose dy pikë. Jam personi i fundit që mund të them se është në rregull edhe kur humbasim, nuk jam njeri që më pëlqen të humbas. Mbase duhet të tregojmë respekt edhe për kundërshtarët tanë.

