Gashi: Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin në të mirën e shqiptarëve

Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se, “Kosova dhe Shqipëria duhet të përparojnë në forcimin e bashkëpunimit për të mirën e të dy vendeve tona dhe në të mirën e qytetarëve shqiptarë”.

Duke marrë fjalën në seancën e përbashkët plenare midis dy Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, në Prishtinë, Gashi u shpreh se, “sot jemi bërë bashkë për të punuar dhe bashkëpunuar bashkë në mënyrë të pandalshme për të mirën e vendeve tona. Ne jemi dy vende që historinë e kemi bashkë, kulturën gjuhën shqipe, miqtë e kombit, figurat kombëtare ndaj dhe në punë duhet të jemi bashkë”.

Sipas tij, qeveritë e dy vendeve duhet të punojnë bashkërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes ushtarake, inteligjencës, trafikut ajror dhe mbi të gjitha në fushën e industrisë ushtarake, që duhet zhvilluar dhe përparuar kjo industri.

Gashi vuri në dukje se bashkëpunimi duhet thelluar edhe në aspekte të tjera të fushës ekonomike dhe sociale.

“Gjithashtu duhet punuar thellësisht e praktikisht për unifikimin e tregut të energjisë që duhet konsideruar si siguri nacionale. Duhet të punojmë në unifikimin e plotë të arsimit dhe shëndetësisë, duhet adresuar përgjegjësia e Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Çamërisë”, tha ai.

Ne duhet të angazhohemi, vijoi Gashi, për ta bërë Shqipërinë dhe Kosovën vende më të mira për shtetasit e tyre, ndërsa duhet të angazhohemi që të kemi programe të përbashkëta për kulturën dhe gjuhën shqipe.

“Sot ne jemi dy shtete por kemi një adresë të përbashkët për integrimin e vendeve tona në familjen perëndimore”, theksoi Gashi.

Ai vuri në dukje se, Shqipëria dhe Kosova kanë të njëjtët partnerë SHBA dhe BE, dhe krah flamurit shqiptar në NATO duhet të kemi edhe atë të Kosovës.

Duke u ndalur në aspektin e jetës parlamentare, Gashi tha se, “ne si të zgjedhur nga qytetarët e vendeve tona, punojmë për hartimin e ligjeve sipas BE-së dhe mbrojtjen e demokracisë, që janë themelore në angazhim si të zgjedhur nga populli ynë”.

“Jeta parlamentare e Kosovës bart dhe historinë e vet, ka një trashëgimi të viteve ’90 ku parlamenti i Kosovës në atë kohë ishte nën sulm nga Serbia, kishte përkrahjen e Shqipërisë, ku politika dhe organizimi kishte përkrahjen e Shqipërisë, ku UÇK kishte mbështetjen e Shqipërisë sot ajo nuk është në ditët më të mirë të saj. Sot t’i lutemi zotit të bashkojë shqiptarët kudo që janë”, deklaroi Gashi.