Peleshi: Anëtarësimi i Kosovës në NATO prioritet, ajo që na bashkon është shumë më e madhe se çdo ndasi
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi sot se “Shqipëria nuk do të resht së kërkuari vëmendje dhe siguri për Kosovën që mbetet prioriteti ynë kryesor në NATO”.
Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve në Prishtinë, Peleshi tha se “kjo seancë e përbashkët e dy parlamenteve tona vjen pas një tradite shumë pozitive të krijuar përmes organizimit të mbledhjeve të përbashkëta qeveritare dhe kuvendeve tona”.
“Ky takim i dytë nuk është vetëm një simbolikë e një bashkëpunimi të shkëlqyer ndërmjet institucioneve tona por edhe një shprehje e qartë e unitetit tonë kombëtar të pandalshëm. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë një model bashkëpunimi bazuar në vëllazëri në vlera të njëjta dhe në synime të qarta për të ardhmen me të mirat dhe dobësitë tona të cilat i kemi gjithashtu të përbashkëta. Jemi njëlloj edhe në temperamentin politik, siç u pa sot këtu”, theksoi Peleshi.
Peleshi theksoi se Shqipëria dhe Kosova mbeten vëllezër të një shtëpie të përbashkët ku vendi ynë ka qenë gjithmonë mbështetës i palëkundur i aspiratave të Kosovës për liri, pavarësi dhe integrim ndërkombëtar.
“Kosova dhe Shqipëria ndjekin një rrugë të përbashkët euroatlantike. Ne kemi të njëjtën adresë të destinacionit tonë historik, BE-në. Shqipëria mezi pret anëtarësimin e Kosovës në NATO, aty ku Shqipëria ka zënë vend si aleat prej 15 vitesh. Në atë hapësirë ne nuk do të reshtim së kërkuari vëmendje dhe siguri për Kosovën që mbetet prioriteti ynë kryesor në çdo ministerial në NATO apo samit të liderëve”, tha Peleshi.
Sipas tij, “nuk ka moment më të mirë për ripohuar përkushtimin tonë të përbashkët për të përshpejtuar procesin e integrimit europian dhe për të forcuar demokracinë dhe prosperitetin në rajonin tonë”.
“Bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve tona ka shënuar hapa të rëndësishëm veçanërisht pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në vitin 2022. Përmes këtij dokumenti ne kemi krijuar një kornizë të përbashkët për harmonizimin e legjislacionit, forcimin e diplomacisë parlamentare dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve tanë. Ky memorandum është prova më e mirë e angazhimit tonë për t’i dhënë formë konkrete aspiratave tona të përbashkëta. 7 mbledhje ndërqeveritare dhe 58 marrëveshje të nënshkruara janë dëshmi e qartë e punës dhe bashkëpunimit që na udhëheq nga nismat për lëvizjen e lirë dhe integrimin ekonomik deri te iniciativat për bashkëpunim në arsim dhe kulturë”, shtoi ai.
Peleshi theksoi se po ndërtojmë një model të përbashkët zhvillimi që i shërben të gjithë qytetarëve tanë.
“Bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në marrëveshje por duhet të reflektohet në çdo nivel të jetës politike dhe publike. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për veprime konkrete për të adresuar sfidat e përbashkëta. Këtu diplomacia parlamentare ka një rol të veçantë. Grupi parlamentar i PS-së mbetet i angazhuar të mbështesë Kosovën në forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, në shtimin e njohjeve dhe procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”, tha Peleshi.
“Shpesh retorika politike e përditshme na rrëmben dhe na zhyt në qëndrime politike afatshkurtër duke harruar interesin afatgjatë të shqiptarëve në dy anët e kufirit. Ndonjëherë harrojmë që ajo që na bashkon është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se çdo ndasi. Ne nuk jemi ‘ne’ dhe ‘ju’. Jemi ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës”, shtoi ai.
