FOTO+VIDEO/ Shqipëria hap sot grup-kapitullin e 6-të të negociatave, Rama flet nga Brukseli: Ditë e mirë për vendin, hap motivues për të gjithë
Procesi i Integrimit Europian të Shqipërisë vijon sot me zhvillimin e Konferencës së tretë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për hapjen e grup-kapitullit të VI të negociatave “Marrëdhëniet me jashtë”, që përfshin kapitujt negociues 30 dhe 31, përkatësisht “Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të VI.
Konferenca Ndërqeveritare i paraprin Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet ditën e nesërme, si dhe një sërë takimeve që Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit do të zhvillojnë me përfaqësues të lartë të BE.
DEKLARATA E KRYEMINISTRIT RAMA

Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një hap të rëndësishëm për Shqipërinë mbajtjen e Konferencës së Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe hapjen e grup-kapitullit të 6: Marrëdhëniet me Jashtë.
Në një prononcim për mediet përpara Konferencës, Rama u shpreh se, “Marshimi ynë vazhdon! Jemi këtu për të ndërmarrë një hap të ri të rëndësishëm dhe për të hapur një grup-kapitull të ri, i cili është shumë, shumë i rëndësishëm për planin tonë, sepse është një hap që po bëhet sipas planit”.
“Dhe po duhet të vazhdojmë përpara dhe ambicia jonë është të hapim më shumë grup-kapituj, shpresojmë në pranverë dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grup-kapitujt e hapur”, tha Rama.
“Është me të vërtetë një ditë shumë e mirë për vendin tonë dhe një hap shumë motivues për të gjithë ne”, theksoi kreu i qeverisë.
Grup-kapitulli përmban dy kapituj: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes. Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “Themeloreve”, më 15 tetor që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.


