SHBA kontakton rebelët sirianë/ Sekretari i Blinken në takimin për të ardhmen pas Assad

Zyrtarët e SHBA kanë kontaktuar me rebelët e HTS në Siri, të cilët tashmë kontrollojnë vendin pas rrëzimit të regjimit të Al Assadit.

Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken pas një takimi me përfaqësues të vendeve arabe, Turqisë dhe Europës bëri me dije se liderët kanë rënë dakord të mbështesin një proces tranzicioni paqësor në vend, duke thënë se fuqitë rajonale nuk donin ta shihnin atë "të zbriste në kaos".

Blinken gjithashtu bëri thirrje për një qeveri siriane gjithëpërfshirëse që respekton të drejtat e pakicave dhe nuk ofron një bazë për "grupet terroriste".

Ndërkaq, në takimin në Jordani, Ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein shprehu shqetësimin për të ardhmen e Sirisë. Ai tha se lojtarët rajonalë nuk donin të shihnin një Libi tjetër, duke iu referuar kaosit që pasoi pas largimit të kolonel Gadafit nga pushteti. Nga ana tjetër, Izraeli ka nisur dhjetëra sulme të tjera ajrore kundër Sirisë, sipas një monitoruesi të luftës. Grupi më i fuqishëm rebel, HTS, ka treguar se po kërkon një qeveri gjithëpërfshirëse. Por e kaluara e dhunshme xhihadiste e grupit ka lënë disa dyshime nëse do t'i përmbushë premtimet e tilla.

Blinken ka thënë se Uashingtoni ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me HTS - veçanërisht për fatin e gazetarit amerikan të zhdukur prej kohësh, Austin Tice.

Në bisedimet në Jordani mungonte një përfaqësues nga Siria. Ministrat e jashtëm nga tetë vende arabe që morën pjesë në takim thanë se donin të siguronin që Siria të bashkohej dhe të mos ndahej sipas linjave sektare.

Rebelët sirianë i dhanë fund sundimit 24-vjeçar të Bashar al-Assad, me forcat opozitare që morën kryeqytetin dhe e detyruan presidentin të ikte në Rusi më 8 dhjetor.

Përmbysja pasoi një luftë civile 13-vjeçare, e cila filloi pasi Assad shtypi protestat pro-demokracisë. Luftimet vranë më shumë se gjysmë milioni njerëz, zhvendosën miliona të tjerë dhe përfshiu fuqitë ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e tyre.