Shpërthimi i Fonseca, pas disa muajsh pakënaqësie. Ja 4 lojtarët e Milanit që "kryq*zoi" trajneri
Pas fitores së vuajtur të Milanit ndaj Crvena Zvezdës, Paulo Fonseca e la veten të lirë në një tjetër shpërthim, këtë herë ndaj skuadrës së vet, në kulmin e muajve të mbushur me zhgënjime dhe pakënaqësi.
Trajnerit kuqezi, në veçanti, nuk i ka pëlqyer qëndrimi i disa prej lojtarëve të tij dhe nuk nguroi ta bëjë këtë të ditur publikisht:
"Jam një person që nuk kënaqem vetëm me rezultatin. Kemi fituar, jemi në një pozicion të mirë, por ndihem i lodhur duke luftuar kundër këtyre gjërave. Nuk jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. E di që punoj çdo ditë për të bërë mirë.
Nuk e di nëse në skuadrën tonë të gjithë mund ta thonë këtë. Kemi detyrimin të japim gjithçka dhe të bëjmë gjithçka për të fituar, por sot nuk e bëmë këtë. Duhet të flas me skuadrën për atë që ndodhi në fushë. Lojtarët e mi duhet ta kuptojnë se kjo nuk duhet të ndodhë më".
Po me kë ishte i zemëruar Fonseca? Sipas asaj që raporton sot “La Repubblica”, shpërthimi i tij kishte në shënjestër katër lojtarë:
Theo Hernandez – Shfaqje e zbehtë dhe dukshëm i shqetësuar nga polemikat për një video që e akuzon atë për dhunë ndaj një vajze. Ai mori një karton të verdhë të panevojshëm (duke hedhur një top të dytë në fushë), ndërsa nga krahu i tij kundërshtarët shpesh sulmonin me sukses. Fonseca e ka kritikuar atë hapur dhe nuk ka përjashtuar mundësinë që ta lërë në stol të dielën kundër Genoa-s.
Fikayo Tomori – Morri një karton të verdhë pa qenë as në fushë (ishte në stol), gjë që rezultoi në pezullimin e tij për ndeshjen e ardhshme, pasi plotësoi numrin e kartonëve.
Ruben Loftus-Cheek – Përveç dëmtimit muskulor që e ka përjashtuar nga ndeshjet për pjesën e mbetur të vitit 2024 (ndoshta së bashku me Pulisic dhe Morata), ai pati një performancë të zbehtë dhe pa ndikim.
Davide Calabria – I zemëruar, pavarësisht se i ishte rikthyer roli i titullarit dhe shiriti i kapitenit, ai reagoi negativisht ndaj zëvendësimit.


