E zgjodhën më të mirin, Bellingham 'përulet' para tifozëve të Real Madridit: Jap gjithçka për këtë fanellë

Mesfushori anglez i Real Madridit, Jude Bellingham, është vlerësuar si lojtari më i mirë i muajit nëntor nga tifozët e klubit të bardhë.

Ky çmim vjen pas paraqitjeve të tij të shkëlqyera në fushë, ku tregoi formën më të mirë, duke kontribuar si me gola, ashtu edhe me asistime.

Bellingham, i cili u rikthye në nivelin e lartë të sezonit të kaluar, shprehu mirënjohjen për këtë njohje: "Është shumë e veçantë ta marrësh këtë çmim nga tifozët dhe të dish që ata vlerësojnë performancat e tua. E kam përmirësuar lojën time dhe është e mrekullueshme të marr njohje për këtë".

Në 19 ndeshje të sezonit, deri tani, mes kampionatit, Champions League dhe Superkupës Europiane, anglezi ka regjistruar 6 gola dhe 6 asistime, duke shënuar në çdo ndeshje të fundit në La Liga. Forma e tij dhe ndikimi në ekip kanë qenë thelbësore për sukseset e Real Madridit.

Në përballjen e sotme kundër Rayo Vallecano, mesfushori anglez premton të vazhdojë me të njëjtin ritëm, për ta ndihmuar ekipin të ruajë serinë e fitoreve në kampionat: "Jam gjithmonë i fokusuar në hapin tjetër dhe jo në të kaluarën. Jam i përqendruar te sfidat e ardhshme, por e vlerësoj këtë lloj njohjeje që më kujton çfarë kam bërë.

Megjithatë, ajo që do të ndodhë në fund të sezonit është më e rëndësishme. Po shënoj shumë gola, po luaj shumë më mirë, ndihem shumë mirë dhe kam shumë besim. Tani duhet të vazhdoj kështu. Ndeshja e radhës në kampionat është shumë e rëndësishme për të vazhduar serinë e fitoreve radhazi në La Liga".