"Trashëgimi unike..." - Bayern Munich tërheq numrin 5 për nder të Franz Beckenbauer

Siç ka komunikuar Herbert Hainer, presidenti i Bayern Munich, gjatë Asamblesë së Përgjithshme Vjetore, klubi gjerman do të tërheqë numrin 5 në nder të legjendës së vet, Franz Beckenbauer, i cili ndërroi jetë më 7 janar në moshën 78-vjeçare.

Vendimi i klubit bavarez u prit me duartrokitje të zjarrta nga anëtarët e pranishëm, ku ishin edhe bashkëshortja e tij, Heidi Beckenbauer, si dhe djali Joel.

"Numri 5 do të mbetet i rezervuar për një trashëgimi unike. Klubi ynë dhe historia e tij janë thjesht të paimagjinueshme pa Franz", – tha Hainer.

Beckenbauer, i konsideruar si futbollisti më i mirë gjerman i të gjitha kohërave, fitoi Kampionatin Botëror dhe atë Europian me Gjermaninë.

Si lojtar i Bayernit, ai fitoi katër herë Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, ngriti tri herë Kupën e Europës (sot Champions League), fitoi Kupën e Fituesve të Kupës dhe Kupën Ndërkontinentale.

Si trajner, ai pati suksese të mëdha, duke fituar Kupën UEFA dhe Kampionatin Gjerman me Bayernin.