Hysaj: Në 8 dhjetor '90 lindi demokracia, pas 34 vitesh drama është rikthyer, qeveria ka vrarë shpresën
Jola Hysaj nga Partia Demokratike shkruan në Facebook se 8 Dhjetori i vitit 1990, ishte thirrja e madhe kundër shtypjes, tiranisë dhe izolimit çnjerëzor.
Ajo shton se Fatkeqësisht, sot, plot 34 vite më pas, atëhere kur këto ngjarje duhet të ishim vetëm kujtime të dhimbshme, drama është rikthyer frikshëm si malkimi sizifian.
Hysaj: 8 Dhjetori i vitit '90, ishte thirrja e madhe kundër shtypjes, tiranisë dhe izolimit çnjerëzor. Ajo ditë e bekuar për historinë e Shqipërisë çeli epokën drejt lirisë dhe lindjes së demokracisë, solli shpresën në realizimin e ëndrrës aq shumë të dëshiruar "E duam Shqipërinë si gjithë Europa".
Sot, 34 vite më pas, dhimbshëm slogani i të rinjve ishte "U lindëm në demokraci dhe po jetojmë në diktaturë!" E frikshme se si historia përsëritet. Dhe nuk përsëritet thjesht si cikël politik, por tragjikisht edhe si dramë sociale. Në grahmat e fundit të diktaturës mijëra shqiptarë shembën muret e ambasadave, çanë guximshëm klonet me gjemba, rrëmbyen anijet dhe vrapuan drejt lirisë, që u ishte mohuar përdhunshëm për 50 vjet.
Fatkeqësisht, sot, plot 34 vite më pas, atëhere kur këto ngjarje duhet të ishim vetëm kujtime të dhimbshme, drama është rikthyer frikshëm si malkimi sizifian. Hemoragjia kombëtare është në kurbën më të lartë. Në 10 vitet e fundit gati 1 milion shqiptarë kanë braktisur sërish vendin. Të rinjtë sapo mbarojnë shkollat e mesme vrapojnë të studiojnë nëpër botë, duke mos e menduar aspak kthimin në atdhe.
Zërat gazmorë të fëmijëve nuk dëgjohen më në shumë zona të vendit e shkollat fillore mjerueshëm kanë mbetur bosh e dyermbyllura ! Pasiguria sociale- ekonomike, mungesa absolute e meritokracisë në çdo fushë të jetës lidhjet e krimit me pushtetin e shtetin, korrupsioni që asgjëson çdo konkurrencë të lirë, që grryen çdo vlerë morale e njërëzore dëbojnë çdo ditë të rinj, intelektualë sipërmarrës e këdo që nuk pranon ti bindet regjimit, që ka rikthyer sërish divizën e frikshme të luftës së klasave: O me ne, o kundër nesh, rrugë tjetër s' ka!"
Sot, në këtë vend kanë vrarë shpresën dhe vetë JETA ka humbur vlerën. Ku vrasjen tragjike të një fëmije 14 - vjeçar, pra derës së shkollës tentojnë cinikisht ta minimizojnë sepse autorët janë të përkëdhelurit e pushtetit. Ndaj të gjithë, bashkë, të rinj e të rritur, ashtu si në vitin '90 duhet të ndalim rrënimin e Shqipërisë! O sot, o kurrë!
