‘Epoka e errët në historinë e Sirisë ka kaluar’/ Udhëheqësi i opozitës: Damasku është i sigurt
Udhëheqësi i opozitës siriane, Hadi al-Bahra, i ka thënë agjencisë arabe të lajmeve Al-Arabiya se regjimi i Asadit ka rënë dhe se një “epokë e errët në historinë e Sirisë ka kaluar”.
Bahra – i cili drejton Koalicionin Kombëtar të Forcave të Revolucionit dhe Opozitës Siriane – ka theksuar për publikun se situata në Damask është e sigurt.
“I them njerëzve tanë të të gjitha sekteve dhe feve, përderisa nuk ngrini armët kundër asnjë qytetari tjetër dhe për sa kohë qëndroni në shtëpitë tuaja, jeni të sigurt”, ka shkruar ai në X.
“Nuk do të ketë hakmarrjeje dhe asnjë shkelje të të drejtave të njeriut.
Dinjiteti i njerëzve do të respektohet dhe dinjiteti i tyre do të ruhet.”
Vendndodhja e presidentit Bashar al-Assad nuk dihet, megjithëse Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, tha se Assadi ishte larguar me një avion nga Damasku dhe kishte lënë vendin herët në mëngjesin e 8 dhjetorit.
Nuk u tha se ku kishte udhëtuar Assadi.
Ky raportim nuk mund të konfirmohej, por kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali tha në një video se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.
“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal”, tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur.
