Vrasja e shqiptares në Greqi, flasin fqinjët: Ishte njeri shumë i rregullt, nuk e kuptojmë si e bëri

Familja e Alba Cenkos në Çermë-Proshkë të Lushnjës ka hapur dyert e mortit pasi është njohur me lajmin se dhëndri u kishte vrarë vajzën në shtëpinë ku jetonin në Athinë.

Një javë pasi kishte kryer vrasjen, Kastriot Cenko njoftoi policinë greke për vrasjen për arsye xhelozie, e se trupin e bashkëshortes e kishte fshegur në papafingon e banesës.

Banesa ku çifti jetonte së bashku me nënën e Kastriotit në Shën Pjetër të Fierit është e mbyllur.

Ngjarja tragjike ka tronditur fqinjët e tyre që thonë se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti mes Kastriot dhe Alba Cenkos.

''Nuk di ça do flas, nuk flas dot. Ajo si njeri ishte shumë e rregullt. Edhe vetë nuk po e kuptojmë sesi e bëri këtë''. 

Një nga fqinjët është edhe vjehrra e motrës së viktimës. Ajo tregon mes lotësh se prej disa ditësh nusja e saj nuk po mund të lidhej me të motrën dhe ishte tepër e shqetësuar.

Ndërsa mesazheve u përgjigjej vetë Kastrioti. Ndërsa në rastet kur u përgjigjej telefonatave kastrioti u thoshte se Alba nuk ndodhej në shtëpi.

''Po mirë mesazhet shkruani, gjoja se i kishte shkruar çunit. Nusja e pa dhe tha jo nuk është shkrimi i motrës time ky. Diçka fshihet pas telefonit të saj''. 

Çifti Cenko kishte dy fëmijë, të moshës 9 dhe 12 vjeç, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në momentin e vrasjes së nënës, por për disa ditë jetonin në shtëpi me trupin e pajetë të saj në papafingo, pa e ditur një gjë të tillë.

Ngajrja e rëndë u zbulua pasditen e së enjtes, vetëm pasi autori kishte telefonuar vetë policinë për krimin makabër që kishte kryer.