Burimet termale të Vromonerit, zonë pilot për vlerat ekologjike në luginën e Vjosës

Ujërat termale natyrale të Vromonerit, në luginën e Vjosës, të njohura gjithashtu si të Sarandoporit, janë zgjedhur si një nga zonat-pilot për projektin EU4Nature, për vlerat e tyre të rëndësishme ekologjike.
Zyra për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (PNUD) në Tiranë bëri të ditur se ky ekosistem tërheqës, por i pastudiuar, është një monument natyror i rëndësishëm, me vlera ekologjike dhe historike.
Ekipet e mjedisit të PNUD me mbështetjen e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë, së fundmi kanë kryer një mision në terren te këto ujëra termale, si pjesë e iniciativës për të vlerësuar dhe mbrojtur këtë ekosistem unik.
Misioni ishte i fokusuar në nevojat për konservimin e ujërave termale, duke ekzaminuar këto fenomene natyrore dhe duke identifikuar problematikat dhe zgjidhje të bazuara në natyrë për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, qëndrueshmërinë e burimeve dhe reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë.
Ujërat Termale të Sarandoporit (Vromonerit) ndodhen në fshatin Kuqesh, Leskovik, pranë kufirit me Greqinë. Ato përbëhen nga 40 burime natyrore, që burojnë nga shkëmbinjtë gëlqerorë me përmbajtje vullkanike me një temperaturë prej 26-27°C.
Të njohura për vetitë e tyre terapeutike, këto ujëra janë një burim i veçantë shëndetësor dhe turistik në rajon, të njohur gjithashtu për rëndësinë e tyre historike, përfshirë rrënojat e sarajeve të Ali Pashë Tepelenës.
Projekti EU4Nature financohet nga BE dhe Ambasada Suedeze në Tiranë dhe zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me AICS Tirana.


