Kalendar i ngjeshur artistik i dhjetorit të festave
Dhjetori i festave ka mbërritur dhe bashkë me të, një kalendar artistik plot ngjyra dhe magji si kurrë më parë. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ftoi në përjetimin e artit që zbukuron këtë muaj të veçantë.
Një nga institucionet e kulturës që ofron aktivitete të shumta është Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit (TKOB). Prej aktiviteteve të TKOB veçojmë operan “Lucia di Lammermoor”, në datat 12 dhe 13 dhjetor; koncertin “A ceremony of Carols” me këngët tipike të periudhës së krishtlindjes, në 23 dhjetor; baletin “Arrëthyesi” që vjen çdo fundviti, kësaj here në 6 data (23, 24, 26, 27, 29, 30 dhjetor).
Teatri Kombëtar do të risjellë në ArTurbina, përgjatë dhjetorit, shfaqjet “Faust” dhe “Turjela”. Numër të madh shfaqjesh për dhjetorin do të ketë edhe Teatri Eksperimental ku do të ketë dhe shfaqje nga Festivali “Hapat 2024”. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave do të risjellë “Smërfët dhe Gargamela”, “Grinçi”, ekspozitë e fëmijëve të QKKF-së etj.
Ndërsa aktivitetet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, përveç të tjerash, përfshijnë dhe dhënien e disa çmimeve letrare si Çmimi “Jakov Xoxa”, Çmimi “Lumo Skëndo” dhe Çmimet Kombëtare të Letërsisë.

