Vegjetimi i Inspektoriatit mbi dosjet e deklarimeve dhe kontrolleve të pasurive dhe konfliktit të interesave të zyrtarëve
Prokuroria e Posaçme dërgoi dje për gjykim deputetin demokrat Asllan Dogjani, pasi akuzohet për fshehje pasurie.
Dhe për të argumentuar akuzën e tij, SPAK thotë se ka referuar deklaratat e deputetit më 24 Mars 2010, ku Dogjani ka shënuar në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, ku ai ka paraqitur një kontratë të datës 6 dhjetor 2006.
Prokuroria thotë se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti.
Por përtej fajësisë apo jo të Dogjanit, shqetësues është vegjetimi i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Në një këqyrje të thjeshtë në faqen online të këtij institucioni, njoftimi i fundit për mediat daton më 24 janar të vitit 2017, që dëshmon qartë se ky institucion tashmë është shndërruar në zyrë parazitizmi dhe mjafton të shihen hetimet e kryera vitet e fundit nga Prokuroria për të kuptuar se pse pasurimi i paligjshëm i zyrtarëve dhe konflikti i interesave është i përhapur në të gjithë Administratën.

Po ashtu ky institucion duket sikur ka dështuar edhe sa i takon qëllimit të krijimit të tij, që është transparenca në deklarimin e pasurisë së zyrtarit, deklarata që kundërshtohen në shumicën dërrmuese të rasteve që të vihen në dispozicion të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile edhe përmes ushtrimit të të drejtës për informim.
Qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për rrogat mijëra dollarëshe të kryetares së ILDKPKI-së, Evgjeni Bashari, dhe të inspektorëve, në mënyrë që ata të zbulojnë se kush ka fshehur pasurinë dhe kush jo.
Ky institucion në veprimtarinë e tij gjobit vetëm ata që vonojnë deklaratat, ndërkohë që nuk ka zbuluar qoftë edhe një shkelje për njerëz të nivelit më të lartë.
Këtë fshehje pasurie që ka zbuluar SPAK të Dogjanit, duhej ta bënte ILDKPKI-ja, dhe është shumë e lehtë të zbulohet që nuk përputhet data e kontratës. Fundja për këtë punë paguhen inspektorët.
Nëse ILDKPKI do e bënte si duhet detyrën, do t’i kishte zbuluar në kohë shkeljet.
Nëse shohim deklarimet që deputetët bëjnë në ILDKPKI, duket qartë se kush është "i pastër", e kush jo. Për të mos thënë edhe për vetë kryeinspektoren Bashari, e cila në media është aluduar se ka 3 vite që nuk deklaron pasurinë e saj.
E njëjta gjë vlen edhe për ministra e deputetë që kur kanë hyrë në politikë kanë pasur si kapital të pajuatshëm nga një apartament dhe autovetura modeste, ndërsa t’i shikosh sot shumë prej tyre jetojnë në vila e bëjnë xhiro me “Range Rover”-a.
Ndërkaq sa herë i jepet mundësia, Kryeinspektorja Bashari nuk ka hezituar të kërkojë në Kuvend rritje të pagave duke theksuar se trajtimi financiar i inspektorëve të jetë i ngjashëm me nivelin e këshilltarëve të organeve të reja të drejtësisë.
Por pyetja që ngrihet në media kohët e fundit është: A mos do ishte më mirë që ky institucion të mbyllej dhe kompetencat e dosjet e tij t’i kalojnë nën administrim SPAK-ut dhe BKH-së, duke “i detyruar” të gjithë zyrtarët dhe subjektet e ILDKPKI-së?


