Afatet e reja për pronën, shtyhet kompensimi financiar dhe trajtimi i dosjeve

Agjencia e trajtimit të pronave do të ketë edhe dy vite afat për përfundimin e trajtimit të 7 mijë dosjeve që janë ende pa një vendim.

Po ashtu, përmes një propozimi të qeverisë, edhe afati për kompensimin financiar do të shkojë deri në vitin 2028

Qeveria ka propozuar rishikimin e ligjit për trajtimin e pronave dhe procesin e kompensimit duke shtyrë afatet.

Në dokument kërkohet që fondi i detyrueshëm në buxhet me jo më pak se 50 miliardë lekë të shtyhet me 3 vite duke e cuar deri në vitin 2028.

Në këtë afat parashikohet dhe përfundimi i pagesave për të gjithë pronarët që nuk e kanë marrë ende tokën e sekuestruar në periudhën komuniste apo dhe që nuk kanë marrë fondin e vlerësuar për tokën e tyre.

Një tjetër ndryshim bëhet edhe për afatin e vlerësimit të njohjes së pronës që do të shkojë deri ën vitin 2027.

Sipas të dhënave në vitin 2015 në atp ishin 7000 dosje të patrajtuara.

Aktualisht, rezulton se janë ende  pa përfunduar 5862 dosje dhe 1197 praktika, në total 7059, nga të cilat 705 të rikthyera për trajtim.

Njoftimi për plotësim dokumentacioni është bërë për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të tyre.

Kompensimi financiar i pronave kaloi përmes një vendimmarrje të gjykatës së Strasburgut.

Kjo pasi qeveria ndryshoi ligjin duke përcaktuar se çmimi do të jetë sipas zonës kadastrale të momentit të sekuestrimit.

Pra edhe pse sot mund të jetë truall, nëse kur shteti komunist veproi me shpronësimin ishte bujqësore do të vlerësohet si e tillë, por duke i shtuar edhe interesat e munguara bankare.