EMRAT/ Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ekstradohen dy persona

32-vjeçari, Robert Gjika është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri pasi GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ky shtetas dyshohet si pjesëtar i një grupi kriminal që akuzohet në kuadër të megaoperacionit “NOMADA”, se ka transportuar ilegalisht, emigrantë, kryesisht në Britani të Madhe.

Njoftimi:

Interpol Tirana

Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan:

-nga Greqia në Shqipëri, shtetasi R. Gj., 32 vjeç, i lindur në Berat.

Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ky shtetas dyshohet si pjesëtar i një grupi kriminal që akuzohet në kuadër të megaoperacionit “NOMADA”, se ka transportuar ilegalisht, emigrantë, kryesisht në Britani të Madhe;

-nga Shqipëria në Turqi, shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar Mehmet Akman, 50 vjeç.

Gjykata e Lartë e Stambollit e ka dënuar këtë shtetas, me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafik i narkotikëve”, si dhe Gjykata e Lartë e Bakirkoy e ka dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Turqisë.

Shtetasi i ekstraduar në Shqipëri iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.