Kundër marrëveshjes me Italinë/ Federata e të rinjve Evropianë protestë në Tiranë, Shëngjin e Gjadër
Federata e të rinjve Evropianë do të organizojnë protesta më 1 dhe 2 dhjetor në Shqipëri kundër marrëveshjes me iTialinë për emigrantët, duke e cilësuar atë si çnjerëzore dhe të rrezikshme për të drejtat e njeriut. Aktivistët kërkojnë tërheqjen e marrëveshjes dhe krijimin e një politike europiane të përbashkët që respekton dinjitetin dhe lirinë e migrantëve.
Më 1 dhe 2 dhjetor, Tirana, Shëngjini dhe Gjadri do të bëhen qendër protestash të organizuara nga Federata e të rinjve Evropianë, ku do të marrin pjesë të aktivistë nga Shqipëria, por edhe Italia e vende të tjera Evropiane.
Aktivistët dhe qytetarët do të mblidhen për të kundërshtuar marrëveshjen, e cila parashikon ndalimin e emigrantëve nga vendet e treta në Shqipëri përpara riatdhesimit të tyre.
Kjo iniciativë është pjesë e një lëvizjeje të gjerë të promovuar nga Rrjeti Kundër Burgosjes së Emigrantëve, duke tërhequr vëmendjen mbi rrezikun e një praktike të tillë.
Sipas organizatorëve, kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër hap drejt eksternalizimit të kufijve europianë, duke krijuar qendra administrative për ndalimin e migrantëve. Kjo qasje, sipas tyre, përbën një kërcënim serioz për lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për azil, dy parime themelore të demokracisë europiane.
“Si federalistë europianë të angazhuar për një Europë solidariteti dhe paqeje, ne nuk mund të pranojmë një politikë që dëmton të drejtat themelore të migrantëve dhe krijon mekanizma shtypës,” shprehen organizatorët përmes një deklarate zyrtare.
Protestuesit kritikojnë gjithashtu edhe qeverinë italiane për sulmet ndaj pavarësisë së gjyqësorit, duke e akuzuar atë për manipulim politik dhe erozion të sundimit të ligjit. Këto praktika konsiderohen si të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në nivel europian.
Përveçse çnjerëzore, aktivistët e quajnë marrëveshjen ekonomikisht të papërgjegjshme. Me një kosto prej 60 milionë eurosh për ndërtimin e kampeve dhe një parashikim prej mbi 1 miliard euro për pesë vitet e ardhshme, kjo politikë vlerësohet si e tepërt dhe e pajustifikueshme financiarisht.
Në protestë do të kërkohet tërheqja e plotë e marrëveshjes dhe krijimi i një sistemi të përbashkët europian për migracionin, i cili garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe integrimin e migrantëve në shoqëri.
“Kur flasim për migracion, flasim për njerëz, për jetë njerëzore që meritojnë dinjitet dhe respekt,” përfundon deklarata. Kjo protestë synon të sjellë në vëmendje se politikat e migracionit duhet të ndërtohen mbi humanizëm dhe solidaritet.
