Murtaja afrikane e derrave në Lezhë, Autoriteti i Veterinarisë: Pesë grupe në terren, situata nën monitorim

Pas konfirmimit të Murtajës Afrikane të Derrave, në Malin e Rencit në datën 26 nëntor, Autoriteti Kombëtarë i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka vijuar monitorimin e zonave perimetrale 3 dhe 10 km nga vatra e konfirmuar me Murtajën Afrikanë të Derrave.

Në datë 27 nëntor, në Malin e Rencit janë gjetur 200 metra nga vatra parë edhe 9 derra të tjerë të ngordhur prej disa ditësh, të cilët janë djegur dhe groposur, ndërsa zona është dezinfektuar.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se janë shpërndarë 200 postera informues e ndërgjegjësues në zonat e mbrojtjes dhe atë të mbikëqyrjes.

Po kështu, gjatë monitorimit dhe inventarizimit rigoroz të gjendjes së kafshëve të llojit derr, janë identifikuar e matrikulluar edhe 64 derra të butë.

Shërbimi Veterinar Rajonal ka dërguar për çdo ditë pesë grupe verifikimi dhe kontrolli për marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjatë monitorimit të datës 28 nëntor, nuk janë evidentuar raste të reja dhe as shenja klinike gjatë monitorimit klinik të kafshëve në zonat e kontrolluara.

Murtaja Afrikane e Derrave (MAD) është sëmundje ngjitëse virale që shkakton ethe hemorragjike tek derrat e butë dhe derrat egër. Sipas gjetjeve shkencore të deritanishme kjo sëmundje nuk transmetohet tek njeriu (nuk i prek njerëzit).

Megjithatë AKVMB apelon të gjithë fermerët që të raportojnë për çfarëdolloj shenje klinike të sëmundjes.