80-vjetori i Çlirimit, Hoxha: Nderim për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut ka uruar shqiptarët në këtë ditë të veçantë, duke shprehur mirënjohje për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë.
“Në këtë 80-vjetor të Çlirimit të Atdheut, përkulemi me respekt e nderim para atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një faqe e ndritur e historisë sonë, si dhe një dëshmi e guximit, përkushtimit të brezave që luftuan për një Shqipëri të lirë e të pavarur.
Në këtë ditë të shënuar, le të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme më të begatë! Gëzuar Festën e Çlirimit Shqipëri! Lavdi Dëshmorëve!”, shprehet ministri në një postim në rrjetet sociale.
Shqiptarët kremtojnë sot 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.
