Izraeli vijon sulmet në Liban e Gaza, OKB ngre alarmin: Gjysmë milion palestinezë rrezikojnë jetën!

Në mes të rrebeshit dhe të ftohtit, qindra familje palestineze janë detyruara të lënë shtëpitë e tyre, pas sulmeve të ndërsjella Izrael-Hamas. Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka ngritur alarmin për kërcënimin e jetës së mijëra palestinezëve, jo vetëm nga temperaturat e ulëta, por edhe nga ujërat e zeza,që gjenden fare pranë kampeve ku janë vendosur refugjatët.

Izraeli rifilloi sulmet në Bejrut, si përgjigje e sulmeve të anëtarëve të Hezbollah me më shumë se 340 raketa drejt Izraelit në fundjavë. Të paktën 11 persona mbetën të plagosur në këto sulme, ndër më intensivet që prej nisjes së luftimeve.

Zonat e shenjëstruara nga grupi militant me bazë në Liban ishin Ashdodi dhe Haifa, por edhe kryeqyteti, Tel Avivi.

Ushtria izraelite lajmëroi banorët civile në Bejrutin jugor që  të largoheshin para operacioneve

Sipas agjencisë palestineze e lajmeve “Wafa”, 4 katër persona u vranë dhe disa u plagosën në një sulm në një shtëpi banimi.

Por me afrimin e dimrit, lufta po bëhet edhe më e ashpër!

Qindra familje palestineze u detyruan të linin shtëpitë e tyre në një kohë kur jashtë i priste i ftohti dhe reshje të dendura të shiut.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, rreth gjysmë milioni njerëz në Gaza rrezikojnë seriozisht jetën e tyre, për shkak të reshjeve që nxisin daljen në sipërfaqe të ujërave të zeza.

“Kur bie shi, ujërat e zeza do të grumbullohen në zonat më të ulëta. Të gjithë njerëzit e zhvendosur “po përdorin një lloj tualeti të improvizuar dhe në thelb përpiqen të largojnë ujërat e zeza nga streha e tyre. Por kjo nuk do të thotë se nuk po grumbullohet pranë dikujt tjetër ose në rrugë, deklaroi Louise Waterridge për gazetën britanike “Financial Times”.

Gjithashtu, agjencia e OKB-së për refugjatët ka hedhur akuza të drejt për drejta ndaj Izraelit, se po pengon kalimin e ndihmave drejt kampeve ku strehohen rreth 2 milionë refugjatë në Gazën veriore, akuza të cilat Izraeli i ka mohuar.