Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri-Kosovë: Forcimi i angazhimit ndaj Task-Forcës së përbashkët të migracionit

Drejtori i Përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Bas Javid bashkë-kryesoi në Tiranë një Komitet të Përbashkët Mbikëqyrës me zëvendësministrin e Brendshëm, Andi Mahila dhe Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Blerim Gashani.

Ambasada britanike bën me dije se në takim, kryesuesit vlerësuan përpjekjet e përbashkëta operacionale për të luftuar migrimin e parregullt dhe rrjetet kriminale që mundësojnë lëvizjen e paligjshme të njerëzve, mallrave dhe parave.

Sipas ambasadës britanike rezultatet kryesore të këtij takimi ishin rikonfirmimi i angazhimit për të forcuar operacionet e përbashkëta për të siguruar kufijtë tanë përkatës si dhe forcimi i partneritetit midis Mretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Kosovës, duke punuar së bashku për të parandaluar migrantët e parregullt që kalojnë tranzit në rajon.

Gjithashtu, në këtë takim u diskutua për Komandën e re të Sigurisë Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar dhe rolin e saj në punën me partnerët ndërkombëtarë për të shkatërruar bandat që qëndrojnë pas kalimeve të paligjshme me varka të vogla.

“Së bashku, ne po përmirësojmë sigurinë publike në MB, Shqipëri dhe Kosovë përmes përpjekjeve tona bashkëpunuese për të penguar krimin e organizuar dhe për të menaxhuar migrimin në mënyrë efektive”, deklaron Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.