Pse u vr* Prendi? Softa: I ati i tij si gjyqtar i Krimeve të Rënda ka dhënë dy vendime të forta, ja për kë bëhet fjalë
Një 30-vjeçar është vrarë mesnatën e mbrëmshme në kryeqytet, ngjarje e ndodhur në rrugën “Xhanfize Keko”.
Sipas raportimeve, Klajdi Prendi i cili u vra me armë zjarri nga persona akoma të paidentifikuar është djali i ish-gjyqtarit për krimet e rënda, Fran Prendi.
Gjithashtu, policia ka deklaruar se rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.
Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa theksoi se kemi të bëjmë me një atentat i mirë-organizuar nga profesionistë dhe fatkeqësisht është i gjashti në këtë vit.
“Dhe lëvizja e automjetit të autorit, apo autorëve, i cili ka dalë deri në Farkë nuk është një lëvizje aq e thjeshtë, ndaj them që është i mirë-menduar.
Prezenca e shtuar e popullsisë në Tiranë, prezenca e grupeve kriminale, por edhe të shtetasve të huaj në kryeqytet e bën të domosdoshme hartimin e një plani të mirëfilltë të Policisë së Shtetit për të menaxhuar të gjitha hyrjet dhe daljet rrugore në kryeqytet.
Sigurisht që është përdorur një armë me silenciator, por duhet të ketë një sistem të mirëfilltë monitorimi të rrugëve të Tiranës”, u shpreh Softa.
I pyetur rreth motiveve të këtij ekzekutimi, Softa e solli vëmendjen jo vetëm tek historiku i Klajdi Prendit, por edhe tek karriera e të atit, i cili si ish-gjyqtar i Krimeve të Rënda së paku ka dhënë dy vendime të forta.
“Ka dhënë dënimin për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. dhe po ashtu ka dhënë dënimin ndaj shtetasit italian Salvadore Leticias i grupit të Kamorras, i cili është shpallur si autor i masakrës tek ish-stacioni i trenit në Tiranë.
Mos harrojmë se te makina e djegur që u gjet sot nuk ka pasur armë, që do të thotë se arma është akoma në duart e vrasësve dhe kjo e bën më të vështirë mbledhjen e informacioneve”, u shpreh ndër të tjera eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, në intervistën e tij për “Ora News”.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN FAJTON SOFTA


