Nis sot debati maratonë për Buxhetin 2025, mazhoranca dhe opozita japin në Kuvend argumentet pro dhe kundër
Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku në rend të ditës është shqyrtimi në parim i projektbuxhetit 2025.
Kuvendi njoftoi se seanca plenare do të zhvillohet në ora 10:00 me urdhër të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Ministria e Financave ka publikuar projektbuxhetin për vitin 2025, sipas të cilit ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet me rreth 3.9 % në vitin 2025.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturë si dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi.
Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 754.6 miliardë lekë. Programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në nivelin 28.8% e PBB.
Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB më shumë.
Shpenzimet buxhetore për vitin 2025 programohen në masën 822.7 miliardë lekë ose rreth 31.4% e PBB duke rezultuar rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Investimet Publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë.
Ministria e Financave bën të ditur se do të vijohet me financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB përgjatë 2025-2027, të cilat përqendrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Shpenzimet e planifikuara për këtë periudhë mbështeten në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021-2030 duke i kushtuar një vëmendje të veçantë dixhitalizimit, transportit, sigurisë kombëtare, shëndetësisë, arsimit dhe të bujqësisë e zhvillimit rural.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9 që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3% në vitin 2015.
Defiçiti buxhetor për vitin 2025 planifikohet të jetë në nivelin 2.6 % të PBB dhe parashikohet të ulet më tej duke arritur në 1.4 % të PBB në vitin 2027.
Gjithashtu edhe borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 % të PBB dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 % në vitin 2025.
Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 % në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 % në vitin 2031.
QENDRIMI I OPOZITES
Në ditën e miratimit, konkretisht të martën, opozita do të protestojë me qytetarët kundër buxhetit prej 8 miliardë eurosh. Por në momentin kur buxheti do të miratohet nen për nen, opozita do të depozitojë disa amendamente, që u vijnë në ndihmë qytetarëve.

Lideri demokrat, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të pengojnë miratimin e këtij akti, që e quan “buxheti i vjedhjeve”.
Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi dje në lidhje me buxhetin që po diskutohet në Kuvend, duke e vënë theksin te çështja e pensioneve. Deputeti demokrat argumentoi se, edhe pse Shqipëria i ka dyfishuar të ardhurat buxhetore në 10 vitet e fundit, mbi 500 mijë pensionistë i kanë të ardhurat reale aktualisht më të ulëta se në vitin 2014.
Kjo shifër sipas tij, i rendit pensionistët shqiptarë me pensionet më të ulëta në rajon, në rastin më të mirë më pak se gjysma e pagesës së pensionistëve në Malin e Zi, Serbi apo Maqedoninë e Veriut.
“Shqipëria është vendi me masën e pensionit minimal apo mesatar më të ulët në rajon. Pensionistët shqiptarë përfitojnë në rastin më të mirë pagesa më pak se gjysma e pagesës së pensionistëve në Malin e Zi, Serbi, apo Maqedoninë e Veriut.
Edhe pse Shqipëria i ka dyfishuar të ardhurat buxhetore në 10 vitet e fundit, mbi 500 mijë pensionistë i kanë të ardhurat reale aktualisht më të ulëta se në vitin 2014.
Ndërkohë që rritja e çmimeve të shportës ndodh me ritme të shpejta, kjo nuk ka ndodhur në këto vite me masën e pensionit.
Mbi 500 mijë persona që përfituan pension pleqërie më 2023 kishin të ardhura mujore mesatare 18,341 lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vlerë kjo 26% më shumë se në vitin 2014, ndërkohë që inflacioni është rreth 34%. Për pasojë, pensioni real ka pësuar ulje së paku me 8% gjatë qeverisjes së Edi Ramës”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, qeveria “Rama” ka para të paguajë për inceneratorët, por jo për rritjen e pensioneve.



