VIDEO/ Maks Kola: PD-ja e dënuar të fitojë në 2025-n. Të ftojë pranë saj trashëgimtarët e familjeve aristokrate shqiptare

Urbanisti Maks Kola ka mbajtur fjalën e tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ajo që është pagëzuar prej 320 ditësh si “Rruga e Shpresës”, në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, pas vendimit të GJKKO-së për ta lënë në “arrest shtëpie”, lidhur me hetimet që po zhvillohen për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në Tiranë.

“Si arkitekt, urbanist, dhe për më tepër si anëtar i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në PD mund të flisja pa fund lidhur me abuzimet e pafundme financiare dhe me cilësinë e ulët të ndërtimeve në vendin tonë; mungesën e kontrollit të territorit në të gjithë vendin, për paaftësinë e kësaj qeverie për të bërë një plan strategjik afatgjatë; për infrastrukturën kombëtare.

Por duke qenë se jemi në prag të një fushate të tensionuar zgjedhore, ku lideri i opozitës qëndron prej 11 muajsh në kushtet e izolimit fizik të padrejtë, jam i prirur të flas politikisht.

Sepse sot më shumë se kurrë është bërë i domosdoshëm rrotacioni politik dhe qeverisja e vendit tonë nga PD dhe e djathta shqiptare.

Dhe në këto kushte i del për detyrë të fitojë pjesën dërrmuese të zemrave të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Era e fitores së të djathtës vjen me fitoren e Donald Trump në zgjedhjet në SHBA.

Dhe kjo duhet të na bëjë krenarë dhe të na rrisë besimin që vetëm e djathta është e ardhmja për vendin tonë.

E në këtë pikëpamje, do të doja që nga ky podium, në mënyrën më të sinqertë të mundshme t’i bëja thirrje Partisë Demokratike që krahas aksionit të saj opozitar, të krijojë një grup të vogël me zyrtarë seriozë, të besueshëm dhe të dashur për publikun.

Dhe të fillojë procesin e posaçëm, atë të evidentimit, të unifikimit dhe të ftesës së çdo trashëgimtari të familjeve aristokrate shqiptare, të cilëve ne u themi gjaku blu shqiptar, të cilët jetojnë brenda dhe jashtë vendit, e të vijnë t’i bashkohen PD-së dhe të kontribuojnë drejt një fitoreje të sigurtë në vitin 2025.

Dhe kjo do të jetë një mundësi edhe për ata vetë për të realizuar dëshirën e të parëve të tyre, për një Shqipëri demokratike e të begatë”, u shpreh ndër të tjera urbanisti Maks Kola.