Komisioni i Sterilizimit/ Shabani: Bëjnë sikur grinden, duhen anuluar PPP-të në Shëndetësi

Endri Shabani nga Nisma Thurje, në një intervistë në Ora News u shpreh se duhen anuluar të gjitha PPP-të në Shëndetësi.

Shabani: Ilir Beqaj u paraqit në SPAK me pranga jo për shkak të Komisionit Hetimor por për shkak të denoncimit të Nismës Thurje dhe pastaj të hetimeve të mëpasshme që nisën nga ai denoncim.

Që do të thotë se Komisioni Hetimor nuk ka synim për të zëvendësuar prokurorinë, as nuk e fut në burg e as nuk e nxjerr nga burgu.

Funksioni i komisionit hetimor është që të kuptojë se pse ka ndodhur.

Pra nëse hetimi penal e ka nxjerrë se si ky ka shkelur ligjin, hetimi parlamentar ka nxjerrë se si ka mundësi që ligji e ka lejuar që ky të abuzojë me pushtetin.

Ky komision parlamentar, i gjithë parlamenti e ka pasur mundësinë që të mbylli shtigjet e vjedhjes.

Pra duhet të kishte dalë me propozimin që PPP-të të paktën në Shëndetësi meqë tani e kemi të konstatuar edhe nga SPAK-u duhen të anulohen të gjitha PPP-të dhe nuk duhet të vazhdohet më me skemën e PPP-ve.

Ata nuk kanë pasur synim asnjëra palë të zgjidhin asgjë.

Synimi ka qenë të bëjmë një spektakël, të bëjmë sikur grindemi që gjoja ne jemi kundër njëri tjetrit por vjedhja do të vazhdojë.