Vota me postë e emigrantëve vijon të shihet me dyshim nga Komisioni Rregullator

KQZ-ja ka vendosur që votuesve në diasporë t'u dërgohet fleta e votimit me udhëzime të qarta dhe një kod unik për lehtësimin e identifikimit. Gjithashtu, posta do të raportojë përditë vendndodhjen e dokumenteve zgjedhore, ndërsa komisioni rregullator kërkon nga KQZ-ja të vlerësojë rreziqet për sigurinë e votës.

Votuesit në diasporë për zgjedhjet e ardhshme do t’i mundësohet nga KQZ fleta e votimit, zarfi përkatës dhe një fletë që shpjegon mënyrën se si ata do të votojnë.

Në mbledhjen e Komisionit Rregullator, u kërkua nga anëtarët dhe një kod unik në mënyrë që të identifikohen më lehtë nga KQZ fletët e zgjedhësve.

Për të siguruar votën e diasporës, u miratua gjithashtu që operatorët e postës të raportojnë çdo ditë pranë KQZ se ku ndodhet dokumenti zgjedhor deri në momentin e dërgimit në institucion.

Ndërkaq, anëtarët e Komisionit Rregullator kishin rezerva dhe ndaj administratës së KQZ me pretendimin se janë njohur vonë me projekt-aktin.

Sa i përket çështjes së sigurisë së votës, ata kërkuan nga KQZ që të identifikojë risqet që mund të vijnë sa i përket procesit të votimit nga jashtë duke nisur që nga procedura e postimit e deri tek ndërhyrja nga palët e treta.