“Buxheti i bashkive 9.3% më i lartë se ai i vitit 2024”, Mazniku: Skema e granteve mbi bazën e performancës

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi sot projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.

Në fokus të mbledhjes së komisionit ishte seanca dëgjimore me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe përfaqësues të Shoqatës për Autonominë Vendore dhe Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë.

Mazniku tha se, pushteti vendor do të ketë një buxhet 9.3% më të madh në vitin 2025, se ai i këtij viti.

“Buxheti 2025 mbështet secilën prej 61 bashkive për më shumë punë të mira në komunitetet tona dhe shërbime të standardeve më të larta për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se, një portofol i rëndësishëm për pushtetin vendor janë të ardhurat që mbledhin vetë bashkitë.

“Në 2025 do të aplikojmë për herë të parë skemën e grantit bazuar në performacë, ndërsa  do të vijojmë zbatimin e projektit “Bashki të forta (BTF), faza 2” me një financim 11.9 milion franga zvicerane”, u shpreh Mazniku.

Ai tha se, rreth 6 milionë franga zvicerante nga të cilat 2.8 milionë janë financim i qeverisë shqiptare dhe pjesa tjetër e asaj zvicerane, është fondi për skemën e granteve që do të pilotojë Ministria për Pushtetin Vendor, vitin që vjen në mbështetej të bashkive mbi bazën e  performancës së tyre.

Sipas tij, skema synon ngritjen e një mekanizmi grantesh që bazohet në disa tregues të performacës së bashkive.

Mazniku bëri të ditur se, vitin që vjen synohet të ngrihet edhe një Qendër e Trajnimi për nëpunësit vendor.

Ndërkohë që është drejt përfundimit skema e matjes së performacës vendore me 40 tregues performace (metodologji), tha ai.