Xhaferaj: Buxheti i mbrojtjes për vitin 2025, pa objektiva të qarta

Zëvendëskryetari i komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj e konsideroi sot problematik buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjatë seancës dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu në komisionin e Sigurisë Kombëtare, Xhaferaj u shpreh se projektbuxheti 2025 nuk ka mision dhe objektiva të qarta.

“Kemi një mënyrë arrogante me të cilin merret përsipër edhe me shkrim dhe me ligj të gënjejë vendet partnere sikur ne buxhetin e mbrojtjes e kemi 2% të GDP-së. Kjo gënjeshtër bëhet më rëndë akoma duke marrë në konsideratë që në Shtëpinë e Bardhë po futet Presidenti Trump, i cili në mandatin e tij të parë, përplasja kryesore që ka pasur me Aleancën ka të bëjë me faktin e marrjes përsipër të më shumë detyrimeve nga vendet anëtare. Ne jo vetëm që nuk marrim përsipër më shumë detyrime, por gënjeshtrën e buxhetit 2% të PBB-së e zhvillojmë akoma më tej”, tha ai.

Sipas deputetit demokrat, “projektbuxheti duhet të ishte plotësisht në përmbushje të misionit të FA-së dhe parimeve të NATO-s, por nuk është i tillë, sepse nuk del qartë se çfarë kapacitetesh operative do të krijojë ky buxhet dhe si do t’i zhvillojë ato më tej”.

“Ne na mungojnë mjetet për mbrojtjen nga ajri si dhe mjetet e blinduara luftarake”, shtoi ai.

Duke u ndalur te shpenzimet për investime, Xhaferaj kërkoi sqarime lidhur me Portin e Porto Romanos.

“Ju shpenzoni 11.6% për investime dhe këtu keni futur Portin e Durrësit. A mund të na dëshmoni nëse ka ndonjë bashkëpunim apo bashkëkomunikim me vendet partnere të NATO-s ku ju po investoni 11 milionë euro në këtë port që kjo do jetë bazë ushtarake e NATO-s?”, iu drejtua Xhaferaj ministrit Vengu.

Deputeti demokrat kërkoi të dinte nëse minimalisht kishte një shprehje interesi, ndërsa vuri në dukej se “zyrtarët e lartë të NATO-s me zë e figurë kanë thënë që porti i vjetër i Durrësit ishte pozicion strategjik”. “Për këtë të riun në Porto Romano nuk kam dëgjuar asnjë gjë”, tha ai.