6 në Gjadër, 2 në Itali/ Mbërrin grupi i dytë i azilkërkuesve në kampin e pritjes në Lezhë

Italia rinisi zyrtarisht operacionet për trajtimin e azilkërkuesve në Shqipëri sipas marrëveshjes së dakordësuar mes dy vendeve, pavarësisht vendimeve të drejtësisë në Romë.

Anija Libra u rikthye në brigjet e Shëngjinit mëngjesit e së premtes me 8 klandestinë në bord, të kapur në brigjet e Sicilisë në përpjekje për të arritur në Itali.

6 ishin egjiptianë dhe 2 nga Bangladeshi. Për rreth 9 orë ata iu nënshtruan verifikimeve në qendrën e pritjes në portin e Shëngjinit, proces që përfundoi vetëm në orët e mbrëmjes.

Dy  tyre rezultuan me probleme shëndetësore dhe siç parashikon marrëveshja, do të kthehet në Itali, ndërsa 6 të tjerë u dërguan në kampin e Gjadrit.

Aty ata do të presin vendimin e autoriteteve italiane për kërkesën për azil, por gjasat i kanë të pakta pasi Egjipti dhe Bangladeshi janë përfshirë në listën e vendeve të Sigurta nga Italia.

Ky është kontingjenti i dytë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrin në Shqipëri sipas marrëveshjes Rama-Meloni nënshkruar vitin e shkuar.

Grupi i parë prej 16 azilkërkuesish  mbërriti më 16 tetor, disa prej të cilëve u kthyen direkt në Itali për shkak të moshës e problemeve shëndetësore ndërsa të tjerët qëndruan vetëm tri ditë në kampin e Gjadrit.

Autoritetet Italian u detyruan ti largojnë pas një vendimi të gjykatës së Romës që urdhëroi të mos mbahen në Shqipëri duke iu referuar në vendimi të Gjykatës Evropiane për vendet e sigurta.

Qeveria Meloni e zgjidhi ngërçin juridik me ndryshime në ligji dhe përditësimin e listës së vendeve të sigurta, përmes një dekreti, duke i hapur rrugën zbatimit të marrëveshjes me Shqipërinë.