VIDEO/ Teknologjia e fundit në shërbimet e kardiokirurgjisë në spitalin e rindërtuar
Kardiokirurgjia e re do jetë një nga qendrat më moderne të Ballkanit, si në infrastrukturë dhe në pajisje.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të kantierit të punimeve të spitalit të ri të kardiokirurgjisë, duke bërë të ditur njëkohësisht se ky pavion do të ketë edhe një repart te specializuar reanimacioni.
“Në kantierin e kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, po punohet me ritme të shpejta për të përfunduar rikonstruksionin e plotë të godinës që do të përfshijë krahas sallave të dedikuara për kirurgjinë e zemrës, edhe një repart te specializuar reanimacioni dhe teknologjinë më të fundit për shërbimet e kardiokirurgjisë”, u shpreh kryeministri Rama.
Ky investim është një financim i qeverisë shqiptare me vlerë 4.3 milionë euro, në kuadër të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Po kryhet një investim rrënjësor, i pari i këtyre përmasave që prej ndërtimit të këtij spitali në vitet ’80.
Investimi në spitalin e ri përfshin shërbimin e kirurgjisë vaskulare; shërbimin e kardiokirurgjisë; bllokun operator që do të ketë 3 salla për kardiokirurgjinë dhe 1 sallë dedikuar kirurgjisë vazale; shërbimin e terapisë intensive, që do të jetë i integruar në shërbimin e kardio-kirurgjisë, duke lejuar një menaxhim më fleksibël të zonave të trajtimit të pacientëve para dhe pas operacionit.
Gjithashtu janë parashikuar edhe pajisje të reja mjekësore për këtë spital.

