Mas*kra në Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur me dy automatikë brenda në zonën e Grudës së Re, ja çfarë dyshohet

Policia e Shkodrës raportohet se ka gjetur një automjet tip "Land Rover" të djegur, në zonën e Grudës së Re.

Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentatin e pasdites së sotme në fshatin Dobraç të Shkodrës.

Njoftimi i Policisë Shkodër

Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se:

Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta).

Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

NGJARJA E SOTME

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës pasditen e sotme ku të shtëna armësh janë shënuar në lagjen “Dobraç” tek ish-SMT-ja, ndërsa raportohet për të 2 plagosur dhe për 2 viktima.

Mas*kra në Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur me dy

Mësohet se dy automjete në ecje e sipër kanë qëlluar me breshëri armësh njëra-tjetrën, ku një mjet me targa kroate është qëlluar disa herë, dhe më pas është përplasur me një mur.

Ndërsa mësohet se njëri prej viktimave është Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, një personazh i njohur për policinë, i përmendur së fundmi në dosjen famëkeqe "Metamorfoza", ku përgjimet e autoriteteve belge dhe franceze kanë zbuluar konfliktet e vazhdueshme mes Licëve dhe bandës së Bajrave dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Po ashtu, i plagosur rëndë ka mbetur edhe Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD-së për kryebashkiak, Xhemal Bushati.

Kujtojmë se pak ditë më parë Arlind Bushati kishte bërë denoncim në polici se dyshonte se do e vrisnin dhe se jeta e tij ishte në rrezik.

Arlind Bushati, mbrëmjen e 10 tetorit 2024, ka shkuar në policinë e Shkodrës, duke bërë kallëzim për dy persona që e kishin kanosur me armë.

Sipas denoncimit të 32-vjeçarit në polici, dy persona të paidentifikuar i kanë drejtuar armën në afërsi të një lokali në pedonalen e Shkodrës.

Sot ndaj tij dhe ndaj viktimës Hamza Lici u qëllua me breshëri plumbash në lagjen Dobraç.

Ndërkaq gjatë shkëmbimit të armëve nga dritaret e makinave kanë mbetur të plagosur dhe një çift bashkëshortësh që po udhëtonin me motor në momentin e atentatit.

Raportohet se pas plagëve të marra, ka ndërruar jetë gruaja në spital, ndërsa i shoqi ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë drejt në vendngjarje shkuan menjëherë policia dhe 5 ambulanca.

Në pamjet e siguruara nga “Ora News”, një nga viktimat shihet ende i shtrirë në tokë, ndërsa mjeti i shkatërruar pas përplasjes me murin.

BILANCI I ATENTATIT

Flutura Basha, e vdekur

Bashkim Basha, deri tani i plagosur.

Hamza Lici, i vdekur

Arvid Bushati, deri tani i plagosur

NJOFTIMI I POLICISE

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.

Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.