Po transportonin 5 emigrantë nga India/ Dy të rinj braktisin mjetin në Himarë, shpallen në kërkim

Dy persona, banues në Durrës janë shpallur në kërkim pasi po transportonin në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës, 5 shtetas nga India.

Ata nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të ndaluar dhe më pas kanë braktisur automjetin tip “Skoda”. Grupi hetimor po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë shpalli në kërkim shtetasit Sh. H., 32 vjeç, banues në Durrës, dhe S. D., 64 vjeç, banues në Maminas, Durrës, pasi në Potam, Himarë, nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të ndaluar dhe më pas kanë braktisur automjetin tip “Skoda” me të cilin transportonin në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës, 5 shtetas nga India. Punohet për kapjen e tyre.

Sektori i Policisë Rrugore:

-arrestoi shtetasin italian S. B., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në gjendje të dehur;

-ndaloi shtetasin L. D., 38 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 28.01.2020, e ka dënuar me 2 muaj e 25 ditë burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”;

-referoi materialet në Prokurori, për shtetasin E. H., 20 vjeç, banues në Vlorë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në rrugën “Kosova”, ka përplasur shtetasin N. I., 59 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Vlorë, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Komisariati i Policisë Vlorë arrestoi shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, pasi u konstatua në rrugën transballkanike, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata.

Stacioni i Policisë Selenicë referoi materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 24.10.2024, në malin e fshatit Gjormë, dyshohet se ka humbur jetën, për shkaqe natyrale, shtetasi E. G., 47 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte punësuar si çoban në atë zonë dhe prej datës 21.10.2024 kishte humbur kontaktet me pronarin e stanit ku punonte.

Materialet iu referuan Prokurorive, për veprime të mëtejshme.