SKANDALI/ Ngjarje si e Klodian Rashës në Fier, polici qëllon me armë të riun: “E godita për vetëmbrojte”! Akuza s’merr asnjë masë

Një hetim i nisur nga prokuroria e Fierit, për një ngjarje të ndodhur 10 muaj më parë në zonën e ish-“Globit”, ka vënë në ndjekje penale një punonjës të policisë lokale, ndaj të cilit Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Fier dhe vetë prokuroria, kanë ngritur akuzën e “Plagosjes së rëndë të kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”.

Ky rast të kujton ngjarjen tragjike në zonën e Laprakës në Tiranë, ku Klodian Rasha, u ekzekutua në 8 dhjetor 2020 nga punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj.

Dhe pas kësaj ngjarje shumë instrumente të policisë së Tiranës, fillimisht u mobilizuan për të fshehur ngjarjen, duke hedhur një pistoletë në vendin e krimit, e cila më pas solli aludime se mund të ishte e viktimës.

Ndërsa rasti në Fier, Shkëlqim Jahelezi, me detyrë Inspektor Rendi në Komisariatin e Fierit, në 28 dhjetor 2023, (tre ditë para Vitit të Ri), ka qëlluar me armën e shërbimit pistoletë “TT” në drejtim të një të riu, i quajtur Danjel Braçi, nga Levani i Fierit, duke e plagosur këtë të fundit rëndë.

SKANDALI/ Ngjarje si e Klodian Rashës në Fier, polici qëllon me

Plumbi, ka depërtuar në këmbët e 25-vjeçarit Braçi duke i rrezikuar jetën, i cili më pas është përcjellë me urgjencë në spitalin e Fierit, për të marrë ndihmën mjekësore.

Por edhe pse i atribuohet një akuzë e rëndë nga prokuroria e Fierit,kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë ndalimi apo pezullimi nga puna ndaj inspektorit, Shkëlqim Jahelezit.

Pezullimi i tij nga detyra është kryer vetëm nga Drejtoria Vendore Fier.

Ndërsa gjatë fazës së hetimit dhe marrjes në pyetje nga oficerët e AMP-së, inspektori Jahelezi, ka pretenduar se ka qëlluar në drejtim të djaloshit, Danjel Braçi, pasi ky i fundit e kishte qëlluar i parë me grusht dhe ofenduar rëndë për shkak se polici nuk e kishte lejuar të kalonte me makinë në rrugën e bllokuar, pasi aty po zhvillohej një aktivitet festiv.

Ndaj për pasojë, ai (Jahelezi) ka reaguar me armën e shërbimit duke e plagosur në pjesën e këmbëve, 25 vjeçarin.

Por edhe nëse Danjel Braçi, e ka qëlluar me grusht, sipas rregullores së policisë Jahelezi nuk duhet të merrte nisma ekstreme të përdorimit të armëve ndaj të riut, por duhet të kërkonte përforcimi për neutralizimin, arrestimin dhe dërgimin e tij në burg.

Tashmë ky rast, ku punonjësi i policisë Jahelezi dhe vetë i plagosuri Danjel Braçi, po ndiqet penalisht nga prokuroria e Fierit, e cila ka regjistruar një dosje hetimore ndaj të dy protagonistëve.

Në këtë dosje ndaj 25-vjeçarit Braçi është ngritur akuza e “Goditjes për shkak të detyrës” në dëm të punonjësit të policisë, Shkëlqim Jahelezi.

Ndërsa ndaj këtij të fundit (Jahelezit) është ngritur akuza e “Plagosjes së rëndë e kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme” në dëm të Danjel Braçit.

Në dosje qartësohet se dy protagonistët e këtij konflikti janë vënë nën hetim nga prokuroria dhe njëherësh të dy janë viktima të veprave penale që po hetohen.

Si pasojë kësaj ngjarje, ku dy palët u përplasën fizikisht dhe më pas polici nxori armën dhe qëlloi, prokuroria në 31 dhjetor 2023 çoi kërkesën në gjykatën e Fierit, duke kërkuar caktimin e masës “arrest në burg” për 25-vjeçarin, Danjel Braçi.

Kërkesa për izolimin e të riut në burg, erdhi në një kohë kur, Danjel Braçi, ndodhej i shtruar në spital dhe po merrte mjekim për plagët e mara në këmbë.

Gjykatësi i Fierit, refuzoi të pranojë kërkesën e prokurorisë, por caktoi dy masa sigurimi të tjera për 25-vjeçarin Danjel Braçi, atë të “arrestit në shtëpi” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Për shkak të këtyre dy masave sigurimi, i riu Danjel Braçi, humbi dhe studimet e vitit shkollor 2023-2024, pasi ishte regjistruar në një Universitet.

Ndërsa ndryshe nga qëndrimi i ashpër me Danjel Braçin të cilin e akuzon vetëm për “Goditje për shkak të detyrës”, prokuroria e Fierit, ka mbajtur një sjellje mjaft të butë ndaj inspektorit të policisë Fier, Shkëlqim Jahelezi edhe pse ky i fundit akuzohet për “Plagosje të rëndë e kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”.

Për Jahelezin, prokuroria nuk ka kërkuar në gjykatën e Fierit asnjë masë sigurimi, qoftë pezullim nga detyra.

Ndërkohë 4 ditë pas ngjarjes së plagosjes me armë të të riut, në muajin Janar 2024 Jahelezi, ka qenë duke festuar dhe kërcyer me familjarët e tij në një nga restorantit e Fierit.

Ndërkohë Jahelezi, ka pranuar gjatë fazës së pyetjes në polici por edhe në prokurori se ai kishte qëlluar me armë në drejtim të Danjel Braçit, pasi këtë gjë e kishte kryer për vetëmbrojtje.

Njësoj siç deklaronte në dhjetor 2020, polici i arrestuar Nevaldo Hajdaraj, se vrasjen e Klodian Rashës, nuk e kishte kryer me qëllim të caktuar, por në kuadrin e vetëmbrojtjes së nevojshme.

Por në këtë rast hetimet e kryera nga prokuroria e Tiranës, provuan se Nevaldo Hajdaraj, vrasjen e Klodian Rashës e kryeu me dashje, duke u dënuar më pas me 10 vite burgim nga gjykata e Tiranës.