Kajsiu: Mazhoranca ka probleme të mëdha me legjitimitetin. Është e vështirë të kuptosh ku mbaron PS-ja dhe ku fillojnë të fortët
Teksa partitë politike kanë nisur edhe pse jo zyrtarisht, fushatat elektorale përmes takimeve dhe premtimeve me qytetarët në bazë, politologu Blendi Kajsiu analizon situatën e kampeve në prag të zgjedhjeve të ardhshme elektorale.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës”, teksa iu përgjigj pyetjeve të moderatores Beti Njuma, Kajsiu u shpreh se mazhoranca qeverisëse në prag të mbylljes së mandatit të tretë shënon probleme të mëdha me legjitimitetin.
“Nuk kemi sot një parlament, pasi ai sot ekziston si një vulë e qeverisë, por kemi dhe një fenomen të ri që s’ka qenë më përpara, sot nuk kemi as Këshill Ministrash.
Po t’i pyesësh qytetarët sot kush janë ministrat, shumica e tyre nuk ua dinë as emrat, pasi i gjithë pushteti është përqendruar tek Kryeministri.
Shumica e qytetarëve tregojnë se janë të pakënaqur me qeverinë, dhe për ta ajo e ka humbur legjitimitetin e saj, çka ka bërë që ajo të mbështetet tek të fortët.
Po ta shikosh, kryeministri vishet me tuta e bluza sportive, që në imagjinatën tonë, ai duket sikur shoqërohet me të fortët. Edhe mënyra arrogante e të folurit, pra kemi një kriminalizim edhe të estetikës dhe përmbajtjes së politikës”, u shpreh Kajsiu.
Ndërsa për opozitën Kajsiu u shpreh se Opozita aktuale nuk inspiron, janë të përçarë dhe pa alternativë.
NDIQNI ANALIZËN E PLOTË TË POLITOLOGUT BLENDI KAJSIU

