Meta: Rama kërkon të suzurpojë me dhunë botën akademike. Vetëm përpjekjet e fuqishme të Opozitës mund të rivendosin Parlamentin në “binarë”

Partia  e Lirisë dënon me forcë, sipas saj, përpjekjen e fundit të Kryeministrit Edi Rama për të uzurpuar me dhunë botën akademike dhe për të pasur tërësisht nën kontrollin e vet edhe kërkimin shkencor, përmes projektligjit “Për Kërkimin Shkencor dhe Shkencën””.

Qëndrimi i PL-së u bë me dije nga Presidenti i kësaj partie, Ilir Meta, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi këtë të hënë se me këtë draft, në krye të shkencës dhe të kërkimit shkencor do të jetë vetë ai, që shkatërroi çdo institucion kërkimor dhe shkencor në vend.

DEKLARATA E ILIR METËS

Pasi uzurpoi me dhunë dhe kapi për fyti të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese në vend, duke asgjësuar kontrollin dhe balancat e pushteteve, “Rilindja” i është turrur së fundmi Arsimit të Lartë, për të asgjësuar edhe atë pak liri Akademike që mund të ketë mbetur.

Partia  e Lirisë dënon me forcë përpjekjen e fundit të Kryeministrit Rama për të uzurpuar me dhunë botën akademike dhe për të pasur tërësisht nën kontrollin e vet edhe kërkimin shkencor, përmes projektligjit “Për Kërkimin Shkencor dhe Shkencën”.

Me këtë projektligj, të çuar në Kuvend pa transparencë dhe në mungesë të plotë konsultimi dhe mirëkuptimi me grupet e interesit, Qeveria shkel hapur dhe cënon rëndë lirinë akademike dhe autonominë e institucioneve të arsimit të lartë.

Me ligjin e ri, universitetet dhe institucionet kërkimore zhvishen nga detyra dhe përgjegjësia e tyre për t'u angazhuar me veprimtari shkencore, dhe në këtë mënyrë  shndërrohen në institucione patronazhimi për “Rilindjen”.

Tani, në krye të shkencës dhe të kërkimit shkencor,do të jetë vetë ai, që shkatërroi çdo institucion kërkimor dhe shkencor në vend, që shkatërroi lirinë akademike dhe autonominë universitare, që bën fushata intimiduese ndaj pedagogëve që kërkojnë të drejtat e tyre dhe nivelin e pagave sa kolegët e tyre në Kosovë, ai që e ka çuar nivelin e buxhetimit për Arsimin më pak se gjysma e vendeve fqinje, që e rriti analfabetizmin funksional dhe ka gati zero fonde për kërkimin shkencor.

Vetë letra zyrtare e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve provon dhe tregon qartë edhe fyerjen ndaj mendimeve të Konferencës të Rektorëve, mendimi i të cilëve është kërkuar vetëm për formalitet.

Opinioni i Konferencës së Rektorëve, si struktura më e lartë e drejtimit të sistemit të Arsimit të Lartë, e përbërë nga të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe private, duhet të dëgjohet dhe të kthehet në platformën mbi të cilën të rinisi diskutimi për një ligj efektiv.

Universitetet duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm, por vit pas viti Qeveria e ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze.

Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri.

Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe Partia e Lirisë e ka prioritet kyc për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres, të ardhme të sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë.

Për Partinë e Lirisë, Arsimi dhe investimi në Kapitalin Njerëzor, është një nga 5 Prioritetet tona madhore.

Partia e Lirisë angazhohet në programin e saj konkret për dyfishimin e nivelit të buxhetimit për Arsimin dhe Inovacionin, për të kaluar mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit.

Investimi në Arsim dhe Kërkim Shkencor do të jetë në nivelin 5% të PBB.

Mësuesia do të konsiderohet degë prioritare dhe do të shoqërohet me mbështetje financiare favorizuese për studentët dhe mësuesit. Do të trajtohen me investime prioritare degët e teknologjisë dhe të informacionit.

Vetëm kështu përgatisim një fuqi të kualifikuar njerëzore dhe rinore për ta kthyer Shqipërinë në fuqi eksportuese.

Eksportet:

Meqënëse jemi tek eksportet, që janë treguesi më I mirë I dobësisë së ekonomisë së vendit tonë dhe I rreziqeve të mëdha për të ardhmen, përsëri duke ju referuar INSTAT, është e qartë se edhe të dhënat më të fundit tregojnë krizën e rënies të pandalshme të eksporteve në krahasim me vitin e kaluar.

Rënia e lartë e eksporteve në 8-mujorin e vitit 2024 është treguesi më i qartë i tkurrjes ekonomike në sektorët e prodhimit të të mirave materiale.

Rënia e eksporteve është gjithashtu prej dëmit që po i shkaktohet sipërmarrjes nga zhvlerësimi i qëllimshëm i euros kundrejt lekut.

Eksportet në 8-mujorin e vitit 2024 u realizuan në 255 miliard lekë, kundrejt 300 miliard lekë që ishin një vit më parë, pra kemi një rënie të eksporteve për 8 muajt e këtij viti në raport me vitin e kaluar prej15%, që është një rënie e konsiderueshme.

Rënia e lartë e eksporteve ka thelluar më shumë bilancin negativ të tregtisë në 8-mujorin e vitit 2024.

Bilanci tregtar në 8-mujorin e vitit 2024 rezulton minus 340 miliard lekë, kundrejt një bilanci negativ në minus 277 miliard lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe me një përkeqësim të bilancit në total në rreth 23%.

Njëkohësisht përqindja e mbulimit të importeve me eksportet është përkeqësuar në këtë 8 mujor, nga 52% që ishte vjet, në 43% aktualisht në vitin 2024 për të njëjtën periudhë.

Rënia e lartë e eksporteve të vendit nuk mund të kompensohet me përfitimet e «fryra» nga turizmi dhe as të mbulojë krizën që po kalon ekonomia e vendit si rezultat i politikave të papërgjeshme të Qeverisë kundrejt sipërmarrjes dhe njëkohësisht si rezultat I politikave të saj për përkeqësimin e klimës së biznesit.

Ky model ekonomik i vendit ka nevojë për përmbysje radikale.

Shqipëria fuqi eksportuese, është një nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë.

Dhe përmes programit tonë ne do të garantojmë një rritje të eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga vetëm 8% që është sot dhe nga 57% që e ka sot Maqedonia e Veriut fqinje, që nuk ka as dalje në det dhe nga 70% që është mesatarja e vendeve të BE-së.

Dhe për të arritur këtë gjë, pra Shqipërinë Fuqi Eksportuese, pa asnjë diskutim, investimi në Arsim dhe Kapitalin Njerëzor është vendimtar.

Pyetje - përgjigje

Pyetje: Zgjerimi I aksit rrugor Tiranë – Durrës, mendoni se është një mbulim I skandalit të Erjon Veliajt nga ana e Kryeministrit Rama?

Përgjigje: Skandalet as të Erjon Veliajt, as të Edi Ramës nuk mund të mbulohen dhe as nuk mbarojnë deri në ndalimin e tyre nga drejtësia.

Pyetje: Sot ka patur mbledhje Grupi Parlamentar I Partisë Socialiste, nga ku, pavarësisht se Opozita do vijojë me Mosbindjen Civile, kanë dhënë një mesazh që të vazhdohet puna.Si e komentoni?

Përgjigje: Vetëm përpjekjet e fuqishme të mirëkoordinuara të Opozitës mund të rivendosin Parlamentin në “binarët” Kushtetues dhe ta bëjnë një Institucion funksional, që të garantojë llogaridhënien dhe asgjë tjetër.