VIDEO/ Nga Kukësi në Gjirokastër, turistët eksplorojnë shtigjet natyrore
Turistë të shumtë vendas dhe të huaj eksploruan fundjavën që lamë pas shtigjet natyrore nga Kukësi, në Gjirokastër.
Të shoqëruar nga guidat e stafeve të 12 Administratave të Zonave të Mbrojtura ata përjetuan përvoja unike të turizmit të natyrës dhe atij kulturor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga guida e ofruar nga AdZM Durrës, ku turistë vendas e të huaj vizituan bukuritë e shtegut Diga Bovillë-Shpella e Gamtit, ndër më të frekuentuarit në Parkun Kombëtar Mali i Dajtit.
Pjesë e eksplorimit gjatë fundjavës ishin edhe shtigjet Dragobi-Valbonë, Peshkopi-Rabdisht, Ura e Bunës-Mali i Taraboshit, Shtegu i Ishullit të Kunes, Diga Bovillë-Shpella e Gamtit, Tarraca e Dajtit-Kalaja e Dajtit, Qafë-Shapkë-Maja e Shapkës, Çezma e Tarikos-Qafa e Skurrës, Shtegu i Pelikanit, Qendra e Vizitorëve-Qafa e Thellë dhe shtegu Kisha e Pandelimonit-0MN Pylli i Gerhotit-Çuka e Zhepës”.
Turizmi i natyrës vijon të jetë ndër të preferuarit e vizitorëve vendas e të huaj, pasi vendi ynë ka një terren të thyer nga jugu, në veri të territorit.
Duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po punon për krijimin e të parit website zyrtar shtetëror të quajtur “Albanian trails”. Ky website do të ofrojë për të gjithë të interesuarit informacionet e nevojshme për përzgjedhjen, e më pas ndjekjen e shtigjeve natyrore, pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura.
Në periudhën janar-shtator të këtij viti 4.5 milionë turistë të huaj vizituan zonat e mbrojtura, duke shënuar një rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

