I dehur mas*kroi 80-vjeçarin/ I moshuari në intubim, fqinja: E pashë të shtrirë. Nusja: Autori ishte problematik
Teksa kanë kaluar 24 orë nga ngjarja e rëndë, ku një çifti i moshuar u dhunua në Povelcë të Fierit, familjarët dhe bashkëfshatarët e tyre ende janë të shokuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku 47-vjeçari Ilir Nukaj, dhunoi një çift të moshuarish.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit Namik Rustemi, ku Nukaj, ka goditur me grushte në pjesën e kokës, shtetasin Namik Rustemi, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A. R., 77 vjeçe.
Në një prononcim për mediat, fqinja e të moshuarve tregon se fillimisht dëgjoi zhurmë dhe doli menjëherë për të parë se ç’po ndodhte.
Ajo tregon se ka parë 80-vjeçarin të shtrirë e të mbuluar me njolla gjaku.
‘Pashë atë të shtrirë, asgjë tjetër. Zhurmë, po bërtiste ajo. I moshuari ishte në gjendje më të rëndë’, tha ajo.
Ndërsa nusja e djalit të të moshuarve tregon se fillimisht i thanë se kishin pësuar aksident për të mos i trembur, ndërsa më pas mësuan për ngjarjen.
Ajo pohon se autori ka qënë në gjendje të dehur, ndërsa thekson se edhe pse ka qenë person problematik në zonë, me çiftin e të moshuarve nuk ka pasur asnjëherë probleme.
‘Ishim në punë, na morën në telefon e na thanë e ka shtypur makina, për të mos na tronditur. Erdhëm këtu, pyetëm na thanë që e ka goditur një person. Nuk di gjë (motivin). Kishte pirë, ashtu thonin, ishte i dehur’, tha ajo.
Ndërkohë një nga fqinjët e çiftit ka treguar se fillimisht ka dëgjuar zhurma nga e moshuara që po dhunohej, më pas ka gjetur 80-vjeçarin të shtrirë në tokë.
‘Pashë vetëm atë që ishte i shtrirë gjatë e gjera. Dëgjova zhurma nga e moshuara që po dhunohej. Në gjendje më të rëndë ishte 80-vjeçari. Ambulanca dhe policia erdhën menjëherë’, shprehet ajo.
Dyert e dyqanit ushqimor vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa i moshuari Namik Rustemi, vijon të mbetet në intubim në Spitalin Rajonal të Fierit , ndërsa bashkëshortja e tij nën kujdesin e mjekëve.
