Xhixho: Qeveria ka vendosur të vërë nën kontrollin e vet edhe kërkimin shkencor, duke shkelur nenin 3 të ligjit për arsimin e lartë
Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehetse ky regjim kërkon që dhe shkenca të drejtohet nga Edi Rama.
Postimi i Xhixhos:
Ky Regjim kërkon që dhe shkenca të drejtohet nga Edi Rama!
Qeveria ka vendosur të vërë nën kontrollin e vet edhe kërkimin shkencor, duke shkelur hapur nenin 3 të ligjit për arsimin e lartë.
Me projektligjin e ri cenohet liria akademike dhe autonomia e institucioneve të arsimit të lartë.
Neni 3 i ligjit për arsimin e lartë sanksionon:
Liria akademike dhe autonomia e institucioneve të arsimit të lartë
1. Institucionet e arsimit të lartë gëzojnë liri akademike, autonomi financiare, organizative dhe të përzgjedhjes së personelit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Liria akademike garantohet nëpërmjet së drejtës:
a) për të organizuar veprimtaritë e mësimdhënies, ato kërkimore-shkencore, të inovacionit, si dhe veprimtaritë krijuese;
b) për të hartuar dhe zhvilluar programet e studimit dhe për të përcaktuar fushat e veprimtarisë kërkimore-shkencore;
Gjithashtu, pr/ligji i ri i qeverisë Rama bie në kundërshtim me nenin 58 të Kushtetutës për lirinë akademike, i cili në pikën 1 të tij përcakton:
“Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit shkencor, vënia në përdorim si dhe përfitimi prej arritjeve të tyre janë të garantuara për të gjithë”.
Në 11 vite, qeveria nuk e financuar kërkimin shkencor dhe kjo pasi paska pasur qëllim ta centralizojë dhe ta politizojë shkencën.
Vetëm 0.04% e PBB-së shkon për kërkimin shkencor, ndërkohë që pedagogët në protestat e tyre kanë kërkuar që të shkojë të paktën 0.3% e PPB-së, kur standardi i BE-së është të paktën 1% e PBB-së.
Projektligji ka mbirë papritur në tryezat e Kuvendit, pa një konsultim paraprak me stafet akademike, sepse qëllimi nuk është aspak mbështetja e kërkimit shkencor.
Pr/ligji i ri u heq kompetencat profesorëve dhe departamenteve, duke e kthyer shkencën në monopol të qeverisë. Kjo shpikje e re e kryeministrit Rama nuk ka të ngjashme në asnjë prej vendeve me kërkim shkencor të avancuar.
Me nenin 10 të pr/igjit të ri, krijimi i një Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, i përbërë nga 19 anëtarë, ku 16 janë nga qeveria dhe vetëm 3 nga universitetet dhe komuniteti shkencor, ka për qëllim t’i japë qeverisë monopolin e shkencës.
Vendimmarrja për financimin e punimeve shkencore do të varet gjithashtu nga Rama.
Ndaj është emergjente të ndalohet miratimi i këtij projektligji dhe t’i hapet rrugë një diskutimi të gjerë ku duhet detyrimisht të përfshihen stafet akademike, departamentet dhe vetë kërkuesit shkencorë.
